Reforma Zgjedhore duhet bërë pa vonesa, të jetë gjithëpërfshirëse dhe të garantohet vota e diasporës. Ishte kjo kërkesa e kreut të OSBE në Tiranë, Mishel Taran, gjatë një tryeze të organizuar bashkë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mesazhin këtë herë e dha në shqip, duke kërkuar që të adresohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese në ligjin e ri zgjedhor.
“Ndonëse tani ka disa propozime për Reformën Zgjedhore dëshiroj t’u bëj thirrje aktorëve politikë ta bëjnë atë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në mënyrë që t’u lejojë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatimin. Siç e dini nuk ka standarde të përcaktuara në rajonin e OSBE dhe as rekomandime të OSBE në lidhje me votimet jashtë vendit dhe ndaj i takon secili shtet të zbatojë atë model që i përshtatet më mirë. Duhet të theksojmë se çdo vendim, duhet të jetë me konsensus të gjerë”, u shpreh Michel Tarran – Kreu i OSBE në Tiranë.
Por pavarësisht kërkesës së OSBE që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët, sekretari zgjedhor i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, shmangu përgjegjësinë e forcës politike që përfaqëson duke fajësuar opozitën për sabotim të procesit.
“Partia Demokratike që në fillim e prishi idenë e tryezës politike, pse? Sepse që në fillim hartoi një draft dhe atë draft e paraqiti në tryezë o miratoni këtë draft, ose PD nuk diskuton asnjë ndryshim. PD kërkoi që në fillim të mos vijonte ky dialog, erdhi solli draftin në tavolinë dhe kërkoi ndryshimin e rregullave për problematike të ngritur nga OSBE”, theksoi Eridian Salianji – Sekretar Zgjedhor, PS.
Ndryshe mendon Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i Partisë Demokratike në grupin e dialogut. Sipas tij, Partia Socialiste ka vrarë reformën. Teksa komentoi ndryshimet e propozuara nga mazhoranca, Bylykbashi deklaron se asnjë prej ndryshimeve nuk adreson problematikat.
“Edi Rama deklaroi në dhjetorin e vitit që shkoi që ligji do mbetet kështu siç është dhe kjo ndodhi. Akti i djeshëm i njëanshëm, i qëllimshëm, për të depozituar amendamente të cilat nuk trajtojnë reformën zgjedhore, nuk ka reformë zgjedhore. Është dhe dënimi përfundimtar për të bërë një reformë zgjedhore”.
Sipas tij propozimet e PS nuk garantojnë votën e diasporës dhe ulja e pragut të herësit nuk sjell asnjë ndryshim pozitiv për hapjen e listave.
“Vota e emigrantëve vritet në parim duke kërkuar njësoj si më parë që emigrantët të votojnë vetëm nëse kanë një adresë të regjistruar në mënyrë të ligjshme në vendin ku kanë shkuar të emigrojnë. Nëse do të kishim bërë një reformë konsensuale do të kishim gjetur një formulë shumë më të mirë për të trajtuar problematikën e votës së shqiptarëve që përzgjedhin dhe kandidatët”, deklaroi Oerd Bylykbashi – deputet, PD.
Ulja e pragut të herësit nga 10 mijë në 7 mijë vota, nuk adreson siç duhet vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pohoi Bylykbashi. (A2 Televizion)