Padia e dytë në Kushtetuese, “Nisma Thurje” dhe “Shqipëria Bëhet” kundër listave të mbyllura për deputetë

Nga Anesti Barjamemaj
16 Shtator 2024, 13:41 | Politikë

Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese shfuqizimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që u miratuan me konsensus nga Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në fundin e muajit korrik, duke mbyllur pjesërisht listat për deputetë. Kryetari i Nisma Thurje, Endri Shabani, pas dorëzimit të padisë në Kushtetuese tregoi dhe arsyet pse kërkojnë që të rrëzohet vendimi i Kuvendit. 

“Kush e ka pushtetin për të zgjedhur deputetët, Edi Rama dhe Sali Berisha mendojnë se këtë të drejtë e kanë ata të dy. Ne mendojmë se këtë të drejtë kushtetuese e kanë qytetarët. Problemi i dytë është imponimi që këta i bëjnë jo vetëm votuesve të vetë, por edhe të Nisma Thurje apo Shqipëria Bëhet dhe subjekteve të tjera. Problemi tjetër ka të bëjë me sigurinë juridike”, tha Endri Shabani – Nisma Thurje.

Edhe përfaqësuesi i Shqipëria Bëhet deklaroi se ndryshimet e Kodit Zgjedhor prekin të drejtat e qytetarëve, duke u hequr atyre mundësinë të zgjedhin deputetin që duan.

“Ndryshimet që u bënë në Kodin Zgjedhor, prekin të drejtin e çdo qytetari për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Deformohet vullneti i qytetarët, duke mos u dhënë mundësinë që ata të zgjedhin përfaqësuesin e tyre që do të shkojë në parlament”, u shpreh Ervis Çela – Shqipëria Bëhet, shkruan A2 CNN.

Sipas tyre kjo është një çështje jo vetëm juridike por edhe politike. “Në fakt, në thelb është përplasja mes të vjetrës dhe të resë që duhet të vijnë këtë vend”, tha Pano Soko – Nisma Thurje.

Padia e depozituar këtë të hënë kundër ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për mbylljen pjesërisht të listave, është e dyta që protokollohet në Gjykatën Kushtetuese. Në gusht edhe kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, kërkoi hapjen e listave 100%.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos