Pagat e magjistratëve, Begaj dekreton ligjin e PS, PD: Roje godine e Kuvendit

Nga Indrit Maraku
18 Shtator 2026, 15:16 | Politikë

Pak orë pas miratimit në seancë plenare, Presidenti i Republikës dekretoi p/ligjin e mazhorancës për pagat e magjistratëve, pavarësisht kontestimeve nga vetë gjykatësit dhe prokurorët. Bajram Begaj shpjegon se zbatimi i procedurave të zakonshme, do ta vononte zgjidhjen e ngërçit me pagat e magjistratëve nga 15 deri në 35 ditë.

“Dhënia e pëlqimit nga Presidenti i Republikës për hyrjen e ligjit në fuqi menjëherë është prerogativë dhe instrument kushtetues, i cili justifikohet nga nevoja dhe urgjenca e rrethanave të rastit. Argumentet dhe kundër argumentet kushtetuese lidhur me masën e pagës mund të debatohen edhe në instanca të tjera kompetente, por zhbllokimi në rrugë të ligjshme i vetë pagës mund të bëhet vetëm duke futur në fuqi ligjin e ri”.

Pakënaqësinë opozita e shprehu menjëherë ku kreu i grupit parlamentar të PD thotë se nxitimi i Kreut të Shtetit nuk është surprizë. Sipas Gazment Bardhit çështja nuk lidhet thjesht me pagat, por prek arkitekturën kushtetuese të shtetit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

“Asnjë surprizë nga roja e godinës së Parlamentit, Bajram Begaj! Dekretimi i ligjit pa një qëndrim publik të Presidentit mbi përplasjen institucionale dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po ushtrohet roli i tij kushtetues. Kushtetuta i ka dhënë një rol shumë më të rëndësishëm: të jetë mbi palët dhe të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit”.

Sipas opozitës, Presidenti ka humbur rolin e garantit të ekuilibrit kushtetues.

“Nuk kishte vakuum ligjor që të nxitonte presidenti, nuk kishte dëshirë mazhoranca të zbatonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos