
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj të ligjit të ri për pagat e magjistratëve, pas miratimit në Kuvend me votat e PS.
"Brenda 24 orëve, pa ushtruar në mënyrë të dukshme rolin e tij kushtetues si garant i Kushtetutës dhe si faktor ekuilibrues institucional, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shpalljen e ligjit për statusin e magjistratëve", thuhet në reagim.
Sipas Bardhit, dekretimi i ligjit pa një qëndrim publik të Presidentit mbi përplasjen institucionale dhe mbi zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po ushtrohet roli i tij kushtetues.
“Kushtetuta i ka dhënë një rol shumë më të rëndësishëm: të jetë mbi palët dhe të garantojë funksionimin kushtetues të shtetit. Për fat të keq, Presidenti i Republikës nuk perceptohet më si arbitër dhe garant i ekuilibrit kushtetues, por si një institucion që thjesht formalizon vendimmarrjen e mazhorancës. Institucioni i Presidentit nuk është Drejtor Thesari dhe as roje e godinës së Kuvendit. Bajram Begaj po”, vijon reagimi. (A2 Televizion)