Pakënaqësitë ndaj DHL, Celibashi: Problemet janë minore, votimi nga jashtë vijon

Nga Ervin Koçi
24 Prill 2025, 15:03 | Politikë

Kutitë e votimit të diasporës kanë filluar të mbushen. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në administrim rreth 22 mijë zarfe me fletë votimi dhe drejtuesi i institucionit është optimist për mbarëvajtjen e procesit. “Kemi shpërndarë rreth 154 mijë fletë, janë marrë në dorëzim, janë kthyer 22 mijë”, tha Celibashi, shkruan A2 CNN.

Të njëjtin optimizëm kanë filluar të mos e ndajnë partitë politike. Fillimisht demokratët dhe më pas socialistët kanë shprehur ankesa publike ndaj procesit, sidomos sa i përket shërbimit postar, ankesa të cilat Ilirjan Celibashi i konsideroi si sporadike. “Janë vetëm 100 raste nga 154 mijë fletë”, tha ai.

Por ajo që e ka shqetësuar më shumë KQZ-në duket se është sjellja e votuesve nga jashtë me fletën e votimit, të cilët kanë kthyer në trend demonstrimin e votës përmes publikimit të fotove dhe videove në rrjetet sociale. “Janë duke kryer vepër penale. Po harxhojmë një mal me para — të tregohen seriozë me procesin”, tha Celibashi.

Vota e diasporës ka marrë vëmendjen maksimale në KQZ, por në fokus mbahet edhe fushata brenda vendit, për të cilën Celibashi këshilloi vetëpërmbajtje sa i përket gjuhës së përdorur nga lidershipi politik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos