Parashikimi i Alizotit: PD merr më shumë se 7 deputetë në Elbasan, nëse janë votat bio

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 22:07 | Politikë

Drejtuesi politik i PD për Elbasanin, Tomorr Alizoti beson se koalicioni opozitar do të arrijë të marrë 7 mandate në këtë qark në zgjedhjet e 11 majit, në rast se procesi nuk do të ndikohet nga presioni i bandave dhe krimit.

Sipas tij mllefi shoqëror ka arritur kulmin dhe qytetarët e shprehin hapur kundërshtinë me qeverisjen e Edi Ramës, ndaj shpreson që kjo lloj revolte të konvertohet në votë ndëshkuese për PS.

“Unë shpresoj edhe njëherë në qytet personalisht më kanë pritur jashtë mase mirë. Kudo ku ecim në terren, takojmë njerëz dhe pritja ka qenë edhe më e mirë se në Berat në 2021. Unë shpresoj në ndryshimin e madh te zemërimi shoqëror. Heshtja e qytetarëve është zakonisht një lloj mllefi me pushtetin dhe shpresoj këtë herë ta shoh. Me konceptin dhe ndjesinë që kam unë e shoh Elbasanin edhe përtej 7. Nëse do jetë kjo ndjesi dhe votat do të jenë BIO. Unë shpresoj që në të gjithë Shqipërinë që zemërimi popullor të jetë shumë i madh. Nuk i besoj sondazhet, totalisht jo, por shpresoj te zemërimi i madh shoqëror, sepse këdo që takoj njerëzit më thonë haptas kam qenë i PS dhe kanë një mllef shumë të madh”, tha Alizoti në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.

Më tej Alizoti theksoi se ka shpresë që të ndodhë më 11 maj çlirimi i Shqipërisë nga krimi i organizuar dhe kërkoi që PS e PD në uniformitet të zhveshin parlamentin nga banditët me kostum politikani.

“Nëse vazhdon kjo qeveria pa një koncept për bujqësinë, turizmin, ekonominë dhe një vizion për kombin shqiptar, ky është dështim. Kjo është kthyer në një industri me blerje vote, krimi i organizuar bashkë me shtetin dhe administratën. Kjo nuk i bën mirë as PS-së, as socialistit dhe unë këtë herë këtë po them, në zona të majta që kam shkuar, njerëzit nuk e duan më. Dhe unë jam i bindur se çlirimi i madh i Shqipërisë do të ndodhë më 11 Maj. Jo se do bëj çudira opozita se nuk i bën dot edhe po të dojë, por duhet të ndodhë çlirimi i Shqipërisë nga krimi i organizuar. Krimi i organizuar s’duhet të ketë asnjë lloj të drejte të ketë përcaktim politik, si për PS dhe për PD. Kush kriminel guxon të futet, të burgoset dhe të zhduket përjetësisht nga skena politike. Janë bërë bosat e krimit këtu sikur janë mendimtarë të mëdhenj. Nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë, horrat. Janë përfshirë kudo. Dhe është kryeministri që e ka më të thjeshtë të operojë me ata, sesa edhe me partiakët e vetë”, deklaroi Alizoti në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos