Ciklin e takimeve përmbyllëse të fushatës zgjedhore, Edi Rama e nisi nga Kukësi. Fillimisht, kryeministri, njëkohësisht kryetar i PS, bëri një bilanc të investimeve në këtë qark nga ana e qeverisë së tij në 12 vite.
“Në këtë dekadë që qeverisim janë realizuar 417 projekt me një vlerë prej 235 mln euro”.
Rama e pranon që ka ende punë për të bërë në këtë zonë, ku varfëria dhe emigracioni ndjehen më shumë, por për mandatin e katërt u ofron kuksianëve paketën e maleve.
“Shkon në bashki dhe depoziton kërkesën që t’i njihet kjo tokë si toka e të parëve të tij. Bashkia e përcjell në Këshillin Bashkiak dhe bën afishimin për 30 ditë. Bashkia bën verifikimin. Në momentin që mbaron 30-ditëshi dhe personat rezultojnë që janë të pa kontestuar, Këshilli Bashkiak i jep vendimin që mund të bëjnë një investim në tokën e tyre. Me atë vendim, ata bëjnë një projekt dhe në Ministrinë e Ekonomisë bëjnë një kontratë dhe tokën e marrin me 1 Euro, e investojnë. Kur mbaron investimi marrin lejen për ta regjistruar në hipotekë si pronën e tyre”.
Një nga premtimet që e solli në pushtet, ishte ai për 300 mijë vende pune. Në mbyllje të 12 viteve, apo 3 mandate qeverisëse më pas, thotë se e ka bërë realitet.
Nuk harroi të ironizojë kundërshtarët politikë.
“Se e keni parë ju 7x7=42 tani është 7x7=6 milionë dollarë”.
Sipas tij, nëse vjen në pushtet Sali Berisha E-Albania do të ketë të njëjtin fat si SPAK.
“Këneta bashkë me SPAK do të shkrijë edhe e-Albanian. Do të hapim zyra asistencë në njësi vendore”.
Në Qarkun e Kukësit, PS garon me 4 kandidatë, ku në listë të mbyllur është vetëm drejtuesi politik Eduard Shalsi. Në 2021, e majta arriti të merrte vetëm një mandat nga 3 që ka qarku në total. (A2 Televizion)