Në mbrëmjen e djeshme, në përmbyllje të ditës së parë të Kongresit të Partisë Popullore Europiane (EPP), lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në Leaders’ Dinner, të organizuar në Palacio de la Exposición në zemër të Valencias.
Takimi mblodhi krerët e partive të qendrës së djathtë nga e gjithë Europa, në një ambient të rezervuar për diskutime të nivelit të lartë, larg kamerave dhe zhurmës mediatike. Ne takim merrte pjesë Presidentja e Komsionit Europian, Ursula von der Leyen, kryetarja e parlamentit Europian Roberta Metsola, Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz dhe 13 kryeministra të tjerë.
Pjesëmarrja e Berishës në këtë tryezë përfaqëson jo vetëm rikthimin e së djathtës shqiptare në një pozicion të merituar brenda familjes europiane konservatore, por edhe një mesazh të qartë për rolin e Partisë Demokratike si pjesë aktive e të ardhmes së përbashkët europiane.
Gjatë koktejit dhe darkës u shkëmbyen mendime mbi zhvillimet kryesore në Europë dhe në botë. Berisha pati rastin të përshëndetet dhe të urojë kancelarin Merz për sukseset e tij në zgjedhje dhe formimin e kabinetit të ri.
Përpara darkës, u realizuan edhe fotografi zyrtare me të gjithë liderët e EPP-së, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)