Kryeministri Edi Rama ka reaguar për rezolutën e Partive Popullore Europiane për Shqipërinë gjatë kongresit të mbajtur në Valencia. Kjo rezolutë ngrinte alarmin për integritetin e procesit zgjedhor dhe gjendjen e demokracisë në vend, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në rrjetin social X, kreu i Partisë Socialiste e konsideroi këtë rezolutë si “alibinë e humbjes”.
“Alibia e humbjes paska filluar në gjirin e PPE, ku salla bosh e partive simotra paska votuar unanimisht fletë-rrufenë e Kënetës Madhështore për humbjen e lirisë së zgjedhjeve. Një tekst kua-kua-kuash që tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit”, shkruan Rama në rrjetin social.
(A2 Televizion)