Parlamentaret 2025, Celibashi tërhiqet: S’ka rrezik për Diasporën, Tirana voton elektronikisht

Nga Ervin Koçi
21 Nëntor 2024, 14:36 | Politikë

Vetëm pak javë pasi dha alarmin se vota e diasporës mund të dështonte, duke ndezur edhe një debat publik, Ilirjan Celibashi doli të qetësojë situatën. Letra e tij zyrtare dërguar partive politike, ku shprehej se afatet në Kod mund të pamundësonin këtë proces, kishte filluar të ngjallte shqetësime, të cilat kreu i KQZ i sheshoi duke u shprehur se diasporës nuk i kanoset asnjë rrezik për të votuar në parlamentaret e 2025. 

Alarmin që ngriti për rrezikun që i kanosej votës së diasporës, Ilirjan Celibashi e hodhi vetë poshtë. Gjatë një komunikimi me gazetarët, ai u kujdes të nënvizonte se votimi nga jashtë është një proces që nuk ka asnjë rrezikshmëri, ndonëse zyrtarisht kishte kërkuar partitë të ndryshonin afatet kohore që të evitohej dështimi.

Ndryshe nga pak javë më parë, sot thotë se problemet që mund të dalin rrugës, janë mëse të kalueshme.

Më shumë se sa vota e diasporës, vështirësi kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po has për votimin dhe numërimin elektronik, ku opozita nuk është dakord për implenentimin e saj, ndërsa mazhoranca kërkon minimalisht aplikimin në Qarkun e Tiranës. Qasja refuzuese e demokratëve duket se nuk ka të njëjtën peshë përballë dëshirës së socialistëve dhe partive të tjera të vogla.

Ky komunikim i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve erdhi në një kohë që Presidenti i Republikës ka nisur konsultat me partitë parlamentare për dekretimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin. Celibashi pohoi se nuk ka asnjë preferencë kalendarike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos