“Data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla”, Bardhi: Refuzova konsultimet se është proces farsë. Ironizon Bashën

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2024, 13:34 | Politikë

“Data e zgjedhjeve është caktuar nga Rama-Balla”, Bardhi:

“Dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet”. Është ky pretendimi që ngre kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi për refuzimin e Partisë Demokratike për të marrë pjesë në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve. Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi i quan farsë konsultimet dhe ironizon Bashën.

“Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.  Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrsesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet”.

Bardhi e akuzon presidentin Begaj si palë politike dhe të përfshirë në organizimin dhe pjesëmarrjen e takimeve elektorale të Partisë Socialiste në Shqipëri dhe botë.

“Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria. Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij.  Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos