Opozita nisi aksionin në Kuvend duke bojkotuar mbledhjet e komisioneve. Të vetmin organ të Kuvendit që demokratët shkuan simbolikisht ishte ai për Çështjet Europiane, ku nënvizuan se mbështesin procesin integrues.
Marrëdhënia e re e opozitës me maxhorancën nisi me bojkot të komisioneve parlamentare.
Rendi i ditës i Kuvendit parashikonte mbledhje të disa komisioneve parlamentare, ai për çëshjet ligjore, Arsimin dhe Mjetet e Informimit publik apo edhe hetimori për koncesionet në shëndetësi, ku karriget e opozitarëve ishin bosh, shkruan A2 CNN.
“Prezent në mbledhje janë 8 anëtarë të nevojshëm për të bërë kuorumin për vijimin e mbledhjes”, tha Ndreca.
Të vetmin komision që e bojkotuan pjesërisht ishte ai për Çështjet Europiane, ku Jorida Tabaku si kryetare dha qëndrimin se opozita mbështet procesin integrues, proces i cili, sipas saj, po minohet nga maxhoranca: “Duhet siguruar që prokuroria dhe institucionet e drejtësisë të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe transparente, duke ruajtur çështjet e korrupsionit pa ndikime politike. Nuk mund të kemi integrim kur mungon shteti ligjor dhe kur opozita goditet politikisht”.
Edi Paloka nga ana e tij dha qëndrimin tjetër, se vijat e kuqe tashmë janë shkelur: “Sot, kur diskutohet hapja e negociatave, ne ndodhemi në një narko-regjim që nuk plotëson asnjë nga kushtet që kërkon BE. Ky Parlament nuk respekton as Kushtetuesen. Çështja Xhaçka tregon qëndrimin e kësaj mazhorance ndaj kësaj gjykate”.
Marrëdhënia e re politike brenda Kuvendit të Shqipërisë do të kristalizohet edhe më shumë në seancën plenare të së hënës pasdite, ku deri më tani sinjalet janë për tensione në sallën e Parlamentit. (A2 Televizion)