Pashka nuk bashkon politikën, Spiropali i kthen kurrizin, Berisha: Vitin tjetër pa Anti-Krishtin

Nga Ervin Koçi
20 Prill 2025, 15:05 | Politikë

Politika bëri një gjysmë ditë pushimi nga fushata elektorale e 11 majit për t’u bërë bashkë e për të uruar shqiptarët për festën e Pashkës. Mesazhin e unitetit e përcolli i pari kreu i Shtetit, Bajram Begaj i cili uroi shqiptarët për më shumë begati në familjet e tyre.

“Meqenëse kjo është ditë që e përbashkon të gjithë besimin e krishterë, qoftë besimtarët ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, është një ditë me një mesazh shumë të fortë, të cilën sapo e përmendi Kryepeshkopi, për të rinjtë që kanë filluar të frekuentojnë meshat dhe shërbesat. Me këtë rast, unë dua të uroj për ta një të ardhme sa më të ndritur këtu, në vendin tonë”, tha Begaj.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spriopali nuk la pa përmendur politikën, duke nënvizuar se ndasitë duhet të lihen mënjanë kur vjen puna tek interesi i shqiptarëve, shkruan A2 CNN. Por pamjet gjatë ceremonisë së pritjes në Katedralen Katolike treguan tjetër gjë, kryeparlamentarja i ktheu kurrizin Sali Berishës dhe refuzoi t’i shtrëngojë dorën me kundërshtarin politik.

Sali Berisha nga ana e tij e kishte urimin shumë të qartë, pashkët e tjera ta gjejnë vendin ndryshe. “Të gjithë besimtarëve, katolikë shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën kudo që janë sot, ju uroj nga zemra, gëzuar ditën më të rëndësishme në historinë e qytetërimit perëndimor, ditën e ringjalljes së Krishtit mbret. Kjo ditë shënon ringjalljen, përjetësinë, shpresën e pashuar. Le të urojmë nga zemra, që Pashkën tjetër ta kremtojmë siç na e do zemra dhe pa Anti-Krishtin në trojet tona”, tha Berisha.

Krahas urimeve pranë katedrales katolike, politika përcolli urimet edhe nga Katedralja Ortodokse Ngjallja e Krishtit pasi këtë vit, pashkët e dy komuniteteve të krishtera përkuan në një ditë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos