"PD do t’i përgjigjet protestuesve", Këlliçi: Protesta na dha leksione, PD duhet të hapet dhe ripërtërihet

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 21:45 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se opozita do t'i përgjigjet mesazheve të protestuesve me ndryshime të brendshme në parti. Në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN ai  theksoi se mbledhja e Këshillit Kombëtar të së mërkurës do të shënojë një fazë të re të ripërtëritjes së PD-së.

“Jam i bindur që në rezultat edhe Partia Demokratike do t'i përgjigjet, le të themi, zhvillimit shoqëror që kemi sot dhe real politikës, do t'i përgjigjet sheshit. Pra, me një PD të ndryshuar, me një PD të ripërtëritur, me një PD me djem me vajza të rinj, me koncepte të reja, me profile të reja dhe me dhe me prurje shumë kualitative. Kështu që unë këtë e kam bindje personale dhe e shoh.  Kam përshtypjen që do të shkohet në kryesi, kam përshtypjen që po në nivelet e larta patjetër do jetë një kombinim i tillë. Nuk mundet që të zhbëhet historia e Partisë Demokratike. Duhet të kuptoni që pa diskutim që do të gërshetohet kjo me eksperiencën, me funksionarët që kanë eksperiencë, por patjetër do të mbështillet me energjinë e të rinjve, e ambiciozëve, e prurjeve të reja që janë të domosdoshme edhe në këtë moment”, tha ai në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.

Këlliçi deklaroi se Partia Demokratike nuk synon të marrë drejtimin e protestës, por është e pranishme në shesh në mbështetje të saj.

“Unë ta garantoj që gjithë Partia Demokratike në pjesën dërrmuese të ditëve që është organizuar ajo protestë ka qenë në shesh dhe është në shesh. Ju garantoj këtë. Më ka mjaftuar jo vetëm eksperienca ime personale, sa herë kam qenë aty, por edhe e kolegëve, edhe e miqve, edhe atyre që njoh, që të gjithë janë në sheshin e protestës. Nuk duan protagonizëm, por janë prezent aty. Nuk kanë kërkuar të marrin, le të themi, frerët e protestës, por janë prezent aty”, theksoi Këlliçi në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN.

Ai tha se protesta i ka dhënë mesazhe dhe leksione që PD duhet t'i dëgjojë, si nevojën për hapje, ripërtëritje, qarkullim elitash dhe një komunikim të ri me qytetarët.

“Që ka leksione për të nxjerrë dhe Partia Demokratike nga kjo protestë ka shumë. Patjetër nevojën për t'u hapur, për t'u ripërtërirë, për një qarkullim të elitave, për një përfaqësim tjetër, për një komunikim tjetër me qytetarët, për një komunikim shumë më ndryshe”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti demokrat shtoi se në mbledhjen e Këshillit Kombëtar do të konstituohet forumi i ri drejtues dhe do të zgjidhet kryesia e re e partisë, duke lënë të kuptohet se në strukturat drejtuese do të ketë një kombinim mes përvojës dhe brezit të ri.

“Ditën e mërkurë, ju jap dhe një lajm që ka qarkulluar dhe ditën e sotme në media, ditën e mërkurë në orën 18:00 do të zhvillohet mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, do të konstituohet Këshilli Kombëtar dhe do të zgjidhet kryesia e re, pra 20 anëtarët e kryesisë së re të Partisë Demokratike, që është një forum shumë i lartë i drejtimit të Partisë Demokratike. Jam i bindur 100% që mesazhi i kësaj proteste ka arritur edhe te strukturat më të larta drejtuese të Partisë Demokratike”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos