
Partia Demokratike i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit të kryejë auditim për përdorimin e 4.3 milionë eurove nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për koncertin e Kanye West në Tiranë.
Në një deklarate për mediat nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, deklaroi se qeveria ka shkelur procedurat ligjore duke përdorur fondet e emergjencës për një aktivitet argëtues, ndërsa kërkoi verifikimin e ligjshmërisë së Aktit Normativ.
Sipas PD-së, fondi rezervë duhet të përdoret për raste të paparashikuara si fatkeqësi natyrore apo emergjenca, jo për financimin e aktiviteteve private.
Bozdo akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor paratë publike për “kozmetikë të qeverisjes”, ndërsa kërkoi nga KLSH të zbardhë procedurat dhe justifikimin e këtij financimi.
Deklarata e plotë:
Në emër të deputetëve të Partisë Demokratike dhe Opozitës, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Punësimit dhe Financës, i jemi drejtuar sot Kontrollit të Lartë të Shtetit me një kërkesë përkryerjen e një auditimi të plotë përputhshmërie mbi ligjshmërinë e miratimit dhe zbatimit të Aktit Normativ të përdorimit të fondit rezerve të buxhetit të shtetit, për të financuar me para shtetërore, 4,3 milionë euro, një aktivitet privat.
Pra, siç edhe të gjithë janë tashmë në dijeni, Këshilli i Ministrave ka akorduar plot 4.3 milionë Euro nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit për të financuar një koncert privat të këngëtarit "Kanye Ëest" në Tiranë, qartazi duke shpërdoruar dhe tjetërsuar procedurën dhe ligjshmërinë e Aktit Normativ.
Edhe pse evenimenti ishte privat, edhe pse për muaj me radhë ishte dhënë siguri nga qeveria se asnjë finacim nga buxheti i shteti nuk do të livrohej, përsëri 4,3 milionë euro u hoqën me shpejtësi rrufe nga fondet e buxhetit, fonde këto të destinuara kundër fatkeqësive natyrore, si psh zjarret apo përmbytjet, tërmeti apo ngjarje të tjera madhore të paparashikueshme dhe me ndikim të madh në ekonomik dhe social.
Në të vërtetë, e vetmja gjë madhore që po ndodh në Shqipërinë në këtë periudhë është zgjimi i shoqërisë shqiptare dhe revolta masive e dhjetëra mijëra shqiptarëve, përfaqësues të të gjithë shtresave dhe votuesve politikë, shprehur me protesta të përditshme, prej thuajse 2 muajsh, kundër qeverisjes së Edi Ramës.
Edi Rama e projektoi koncertin privat pikërisht si një zjarrfikëse sociale, për të shuar frymën dhe shpirtin e protestës si dhe për të pikturuar ndërkombëtarisht një Shqipëri të rreme, ku spektakli mundohet të mbulojnë rrënjët e thella të krimit dhe korrupsionit, vjedhjen e zgjedhjeve, zbrazjen dhe zhbërjen e Shqipërisë, arsimin dhe shëndetësinë që kolapson.
Dhe kjo zjarrfikëse u financua me 4,3 milionë euro, ndërsa kurrë nuk u financuan dëmet e fatkeqësive natyrore si psh përmbytjet e njëpasnjëshme të mijëra fermerëve në jug e veri të vendit vetëm disa muaj më parë, apo logjistika e munguar për shuajtjen e zjarreve apo përballimin e tërmeteve.
Nga ana tjetër, Akti Normativ përbën një goditje të drejtpërdrejtë ndaj disiplinës fiskale dhe parimeve të qeverisjes së mirë. Përdorimi i këtij instrumenti nga fondi rezervë në këtë rast bie ndesh me:
* Nenin 101 të Kushtetutës: Aktet normative rezervohen ekskluzivisht për marrjen e masave të përkohshme në raste "nevoje dhe urgjence". Një koncert muzikor argëtues, i cili kërkon muaj të tërë planifikimi e negociatash, nuk përbën në asnjë rrethanë as nevojë shtetërore dhe as urgjencë kombëtare.
* Ligjin e Menaxhimit të Sistemit Buxhetor (Nr. 9936): Neni 5 sanksionon qartë se Fondi Rezervë ekziston vetëm për të mbuluar shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë objektivisht të pamundura të parashikohen gjatë hartimit të buxhetit.
Ky veprim devijon thellësisht nga praktikat më të mira evropiane dhe udhëzimet ndërkombëtare për menaxhimin e financave publike, të cilat diktojnë transparencë absolute dhe kufizime strikte në përdorimin e fondeve të emergjencës.
Pra këtu kemi të bëjmë me mospërmbushjen e kritereve thelbësore të ligjshmërisë: paparashikueshmërisë, pamundësisë së planifikimit dhe respektimit të procedurave buxhetore.
Për këtë arsye, ne i kemi kërkuar KLSH-së që të zbardhë urgjentisht:
* Kur filluan saktësisht negociatat për këtë koncert dhe a ishte kjo përpara miratimit të buxhetit vjetor2026?
* A ekziston një preventiv i detajuar për këtë vlerë prej 4.3 milionë Eurosh, siç kërkohet nga Udhëzimi nr. 9 i buxhetit?
* Si mundet qeveria të provojë "pamundësinë e planifikimit" për një ngjarje që kërkon një marrëveshje kontraktuale dhe logjistike të mirëfilltë?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve në fakt i di mirë çdo shqiptar, por ne si opozitë kemi detyrimin të sanksionojmë një standard evropian duke i thënë stop një herë e mirë këtij abuzimi kaq flagrant me paratë e buxhetit, që financojnë kozmetikën e qeverisjes së Edi Ramës.
Sepse, përdorimi i buxhetit të shtetit si xhep personal, pa pyetur për ligj dhe procedurë, është një akt që nuk e has sot as edhe në ato që konsiderohen shtete të falimentuara. Jo më pastaj për vende që synojnë të bëhen pjesë e BE-së, brenda vetëm pak viteve.
Shpresojmë që KLSH të ngrihet në lartësinë e detyrës që ligji i përcakton, duke i vajtur deri në fund kësaj procedure që do te turpëronte çdokënd, veç Ramën dhe qeverinë e tij jo ! (A2 Televizion)