Një ditë pas depozitimit në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë, kreu demokrat Sali Berisha, nga selia blu, bëri një krahasim mes ekipit të tij dhe atij të socialistëve. Në fillim të konferencës për shtyp, Berisha u ndal te lista e demokratëve, me të cilët do të garojë më 11 maj, shkruan A2 CNN.
“Shqiptarët, panë mbrëmë listën e përfaqësuesve të tyre, të cilët në një seri të pafundme denoncimesh i bënë autopsi regjimit më të korruptuar të Europës, dhe ndër më të korruptuarit në botë”, tha Berisha.
Për kryedemokratin, emëruesi i përbashkët i kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në lista të sigurta është SPAK-u.
“Lista e mbyllur e Edi Ramës është lista e Skapistëve, e atyre që hyjnë e dalin në Skap dhe që shkojnë me paturpësinë më të madhe për t’u kërkuar votën qytetarëve për t’u mbrojtur nga Drejtësia. Të shkojmë tek lista e hapur. Të na thotë pak, çfarë është lista e hapur? Hajdutë dhe patronazhistë”, tha Berisha.
Pasi Dashnor Sula e akuzoi se shkeli votat e primareve, Berisha e ironizoi duke i kujtuar mbrojtjen që kryeministri Edi Rama i bëri deputetit Sula në rubrikën "Sy më Sy".
“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, i cili ka karrierën e tij. Por mendoj se hapi që bëri, duke u rreshtuar me opozitën e opozitës – pra, de facto, me një patericë të Edi Ramës – nuk është zgjidhja, sipas vlerësimit tim”, tha Berisha.
Sipas Berishës, 39% e listave të PD-së janë gra, ndërsa 18% janë të rinj. (A2 Televizion)