Seanca pas listave, deputetët boshatisin Parlamentin, zbehet dëshira për debat

Nga Ervin Koçi
13 Mars 2025, 15:09 | Politikë

Me kokën ulur apo të hedhur mënjanë, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kaluan pragun e parlamentit për të zhvilluar seancën e parë pas publikimit të listave të kandidatëve për Kuvendin e ardhshëm.

Emocionet duket se prevalonin mbi dëshirën për të qëndruar në sallën e seancës plenare, e cila përgjatë orëve të punimeve i kishte karriget kryesisht bosh.

Publikimi i listave të kandidatëve për deputetë zbehu interesin e parlamentarëve për të qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit e cila më shumë qëndroi bosh. 

Në vend të tavolinës së punës, ata preferuan të diskutonin në tavolinën e kafenesë së Kuvendit larg syrit të kamerës, por për disa të tjerë, kjo ishte e pamundur.

Gazment Bardhi u desh të përballej me deputetët që e mbështetën por që mbetën jashtë listës si Zheni Gjergji e Dashnor Sula.

Dashamirësia qartazi kishte përfunduar, ndërsa mëritë u shprehën në mikrofon.

Para pauzës së fushatës zgjedhore, Kuvendi do të mblidhet edhe të hënën ku palët gjetën dakordësinë për të zhvilluar një seancë tjetër parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos