PD në një hall me Lapajn, KAS vendos për rinumërim në Fier, në lojë mandati i “Zegjinesë”

Nga Ervin Koçi
9 Qershor 2025, 15:30 | Politikë

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi rinumërimin e votave për qarkun e Fierit. Dy nga tre anëtarët e KAS e konsideruan të vlefshme kërkesën e Adriatik Lapajt për rinumërimin e votave, ku në filtrin e KQZ do të futen jo vetëm votat për partitë por edhe për kandidatët. Nga vendimi përfitojnë edhe demokratët, që kishin kërkuar vetëm rinumërimin e disa prej kutive të qarkut.

Certifikimi i rezultatit zgjedhor për qarkun e Fierit duhet të kalojë edhe një herë filtrin e numërimit. Dy anëtarë të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve, Ledio Braho dhe Elvis Cefa e legjitimuan kërkesën e Adriatik Lapajt për rinumërimin e votave për këtë zonë zgjedhore.

Numërimi i parë i këtij qarku prodhoi 12 mandate për socialistët dhe 4 për demokratët, ndërsa Adriatik Lapaj ishte 518 vota larg marrjes së mandatit, vota të cilat pretendon se i ka në kutitë që do të rinumërohen.

Nga vendimi përfiton edhe PD, që kishte kërkuar hapjen e vetëm disa prej kutive. Gjithsesi, demokratët numerikisht nuk kanë asnjë shpresë edhe në rast rinumërimi, pasi diferenca për mandatin e pestë është rreth 6 mijë vota, por siç thotë shprehja, “armiku i armikut tim, është miku im”, ndaj dhe janë pro këtij vendimi, me shpresën se do të mbajnë jashtë parlamentit Zegjine Çaushin, sfidanten e famshme të Gazment Bardhit.

Tashmë KQZ duhet të përgatitet për një vrull tjetër, pasi Fieri bashkë me Tiranën, janë dy qarqet më të mëdha në vend që do të rinumërohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos