Pak minuta nga përfundimi i orarit zyrtar të votimit, partia Demokratike u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, zëdhënësi i fushatës së PD-së Andi Mustafaj, tha se votuesit, vëzhguesit, dhe komisionerët e opozitës kanë mbajtur sot të gjallë demokracinë në kushte të pabarabarta. Sipas tij të gjithë ndërhyrësit, manipuluesit dhe kërcënuesit elektoralë janë listuar, me pamje, emër dhe rekorde, si terroristë elektoralë.
“Partia Demokratike, duke falënderuar qytetarët që kanë votuar sot, pavarësisht presioneve të pafundme të patronazhistëve të Edi Ramës ju bën thirrje të gjithë atyre që nuk kanë votuar ende, të dalin për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.
Ne kërkojmë që çdo votë e mundur për ndryshimin dhe kundër stanjacionit 12-vjeçar, të hidhet.
Ne falënderojmë votuesit, vëzhguesit, dhe komisionerët e opozitës që kanë mbajtur sot të gjallë demokracinë në kushte të pabarabarta.
Të gjithë ndërhyrësve, manipuluesve, kërcënuesve, hajdutëve elektoralë, u bëjmë me dije se jeni listuar, me pamje, emër dhe rekorde, si terroristë elektoralë.
Me besim te fitorja dhe ndryshimi: votoni, votoni, votoni!” (A2 Televizion)