Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ushtruar të drejtën e votës në zgjedhjet e kësaj të diele në Shqipëri, pasi zotëron edhe shtetësinë shqiptare.
Përmes një postimi në Facebook, ai bën me dije se ka shprehur mbështetjen e tij për një kandidat që, sipas Lladrovcit ka qenë dhe duhet të mbetet zë i fuqishëm i çështjes kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë.
“Erdhëm dhe votuam. Pres që kandidati të cilin e votova, do të vazhdojë të jetë në Parlament, të jetë avokat i çështjes kombëtare sikur deri sot, për Kosovën dhe shqiptarët kudo jetojnë”, shkruan kryekomunari i Drenasit, përkrah fotos ku shihet me familjen e tij.
Ai theksoi se deputetët dhe drejtuesit shtetërorë në Shqipëri kanë një përgjegjësi të qartë për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e shqiptarëve që jetojnë edhe jashtë kufijve administrativë të vendit.
“Deputetët, ashtu edhe drejtuesit ekzekutivë të shtetit, e kanë obligim moral, kombëtar e kushtetues, të ngritin dhe mbrojnë çështjet me rëndësi të shqiptarëve jashtë kufijve administrativë. Obligimi i shqiptarëve jashtë kufijve administrativë, dihet, ta duan Shqipërinë!” u shpreh ai. (A2 Televizion)