Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato pas Durrësit është zhvendosur në Fier për të parë nga afër situatën zgjedhore, por edhe bashkëpunimin mes institucioneve.
Sipas tij marrëveshja për bashkëpunim institucional po funksionon mirë, ndërsa çdo incident do të hetohet nga institucionet përkatëse.
“Sot është një ditë e rëndësishme. Në veçanti sa i përket zgjedhjeve që po ndodhin për herë të parë pas fillimit të negociatave të Shqipërisë me BE-në, negociata të rëndësishme, ndaj mesazhi është që shqiptarët të dalin të votojnë. Unë sot nuk po bëj vëzhgim zgjedhor, por po shkoj në zona të ndryshme e qendra të ndryshme votimi për të parë si po ecën votimi dhe për të krijuar një ndjesi sesi po ecin zgjedhjet. Misioni i OSBE ODIHR është në Shqipëri dhe po bëjnë një vëzhgim shumë të thellë të këtyre zgjedhjeve në gjithë Shqipërinë. Ata po vëzhgojnë zgjedhjet dhe çfarëdo raportimi do të analizohet dhe pastaj do japin gjetjet dhe rekomandimet e tyre. Dhe ky raport do të orientojë atë analizë që do t’i bëjmë ne zgjedhjeve në Shqipëri”. (A2 Televizion)