
Kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, komentoi nga Korça Reformën Territoriale.
“Sipas hartës së re, Bashkia e Korçës bëhet bashkia më e madhe në Shqipëri për nga sipërfaqja, një sipërfaqe 1462 km2. Pra, siç e dini, Korça dhe Maliqi, dy bashkitë, bashkohen në një bashki të madhe të vetme dhe kanë një sipërfaqe, jo vetëm më e madhja por e shkëputur me 200 km2 më shumë nga bashkia pasuese që është Elbasani”, tha Peleshi, shkruan A2.
“Sipërfaqja e madhe nuk është për shkak të numrit të madh të popullsisë, popullsia është rreth 100 mijë banorë tani e bashkisë së re, por për shkak të fushës së madhe të Korçës dhe të Maliqit që tani janë një fushë. E quani fusha e Maliqit më mirë, që të përkëdhelim pak edhe ata që ende e shikojnë me skepticizëm reformën. Unë jam i bindur që është një gjë shumë e mirë. Në fushën e bujqësisë bashkohen në një dhe kanë nën administrim në kuptimin gjeografik pothuajsë të gjithë fushën e madhe të Maliqit, që është fusha e dytë më e madhe në Shqipëri”, shtoi kreu i Kuvendit. (A2 Televizion)