Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do t’i rikthehet normalitetit në Kuvend, të paktën deri në fund të diskutimit të projektbuxhetit të vitit 2025.
Pas mbledhjes 2 orëshe me deputetët, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi tregoi dhe arsyet e kësaj vendimmarrje.
“Buxheti i shteti i sjell nga qeveria, pa diskutim që kërkon angazhimin e deputetëve të opozitës, për të shndërruar nga buxheti i oligarkëve në buxhetin e qytetarëve. Grupi i PD do të jetë i angazhuar në një përballje intensive me mazhorancës gjatë diskutimit të projektbuxhetit të 2025”, tha Gazment Bardhi.
Një përgjigje e pati edhe për zërat kritikë që vijnë nga brenda dhe jashtë opozitës.
“Cilido që ka shpresuar që opozita do t’i lërë terren të lirë Edi Ramës për të miratuar buxhetin e oligarkëve dhe jo buxhetin e qytetarëve e ka patur shumë gabim. Ne do të jemi aty, do të përballemi dhe do të mbrojmë interesin e qytetarëve. Do të mbrojmë interesin e pensionistëve, biznesit dhe fermerëve”, shtoi Bardhi.
I pyetur nëse kjo vendimmarrje ka ardhur si një kërkesë e ndërkombëtarëve për të ulur tensioneve në Kuvend, Bardhi e mohoi, por pati një kërkesë për ta.
“Ata që deri dje në mënyrë të pashpjegueshme i bënin thirrje opozitës që të jetë brenda parlamentit, uroj shumë që të gjejnë guximin që t’i bëjnë thirrje Ramës që të lejojë opozitës që të bëjë detyrën e vetë në Kuvend”, nënvizoi Bardhi.
Pavarësisht uljes së tensioneve në Kuvend, kreu i grupit parlamentar premtoi se aksioni i opozitës do të vijojë në rrugë sipas vendimeve të marra nga forumet e Partisë Demokratike. (A2 Televizion)