“Përpjekje që ia ka vlejtur për një fitore historike”- Çuçi: Vlora po shkon drejt zyrtarizimit pa kthim me 9 mandate

Nga A2 CNN
14 Maj 2025, 21:37 | Politikë

“Përpjekje që ia ka vlejtur për një fitore

Partia Socialiste në qarkun Vlorë është duke fituar 9 mandate teksa po vijon ende procesi i numërimit të votave të diasporës.

Drejtuesi politik i PS në këtë qark, Bledi Çuçi ka reaguar me një mesazh falenderimi për votuesit, strukturat e PS-së, diasporën, komisionerët, numëruesit dhe skuadrën e kandidatëve, shkruan A2 CNN.

Më poshtë reagimi i plotë i Çuçit:

Bashkë me pritjen e bukur e shpresëplotë të konfirmimit zyrtar për mandatin tonë të nëntë teksa vijon numërimi i votave të diasporës, kam disa fjalë zemre për mbi 53 mijë votues në Vlorë, Sarandë, Himarë, Selenicë, Delvinë, Konispol e Finiq. Faleminderit për besimin, faleminderit për çdo përfaqim, për çdo ide, dhe për inkurajimin e jashtëzakonshëm që na dhatë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues për Shqipërinë europiane.

Mirënjohje për të gjithë strukturat e Partisë Socialiste, për anëtarët, simpatizantët e aktivistët tanë, kryetarët e organizatave, kryetarët e bashkive dhe këdo tjetër që u përfshi në një fushatë të shkëlqyer, plot energji e frymëzim për ëndrrën tonë europiane.

Thellësisht mirënjohës edhe bashkatdhetarëve tanë në diasporë, që konfirmuan me votë Partinë Socialiste si të vetmen forcë transformuese, që ka sjell progres, që i dha kuptim kohës shqiptare dhe që i ngriti kokën Shqipërisë në sytë e botës mbarë. Faleminderit komisionerëve dhe numëruesve për të gjithë përkushtimin dhe seriozitetin e treguar përgjatë këtij procesi.

Në fund, por jo për nga rëndësia, falënderoj me zemër të gjithë skuadrën tonë të kandidatëve në qarkun Vlorë. E çmoj shumë të gjithë punën tuaj për të mbledhur çdo votë, për të maksimizuar rezultatin për Partinë Socialiste dhe për të krijuar një shumicë të zëshme nga Novosela në Konispol.

E gjithë kjo përpjekje ia ka vlejtur teksa ne po shkojmë tashmë pa kthim drejt zyrtarizimit të një rezultati historik në qarkun Vlorë, me plot 9 mandate për Partinë Socialiste. Deri atëhere kur të mbarojë së numëruari edhe vota e fundit nga diaspora, përqafime të gjithëve dhe faleminderit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos