Mesditën e së mërkurës, deputetja Marjana Koçeku tronditi përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo lë të kuptohet se është kërcënuar nga fisi Bajri dhe i kundërpërgjigjet po me kërcënim.
Marjana Koçeku: “Ky mesazh u drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes time i preket qoftë edhe një qime floku, unë s’kam për t’ju lënë pa ju shkatërruar, sa të kem jetë”.
Denoncimi përmes rrjeteve sociale nuk është shoqëruar me një kallëzim në Polici nga deputetja, e cila braktisi Partinë Socialiste për të qëndruar e pavarur, shkruan A2 CNN.
Kryetari i Partisë Socialiste nuk ka bërë asnjë reagim mbi postimet e “Neomalsores” që ai e kishte zgjedhur ta udhëhiqte listën e Shkodrës një vit më parë.
Në rrjetet sociale ai zgjodhi të sulmonte sërish si “fashiste” protestën në kryeqytet, ku mbrëmë protestuesit kërkonin dorëheqjen e tij në fan zonën ku tifozët po shikonin përballjen Francë–Senegal.
Megjithatë, socialistët duket se nuk e kanë marrë seriozisht alarmin e ngritur nga Koçeku. Burime që nuk duan të citohen me emër i thanë A2 CNN se Koçeku po vepron për interesa politike personale.
Ndryshe nga mazhoranca, demokratët i bënë jehonë Marjana Koçekut, e cila nuk mori pjesë në Komisionin e Jashtëm. Në mbledhjen ku po diskutohen kapitujt e negociatave të anëtarësimit, Albana Vokshi ngriti shqetësimin se si grupet kriminale në Shkodër kanë guximin të kërcënojnë një të zgjedhur.
Qëndrimi i vetëm nga mazhoranca erdhi nga kryetari Igli Hasani, i cili i tregoi deputetes derën e Policisë së Shtetit.
Që prej së enjtes në seancë plenare, Marjana Koçeku nuk ka bërë asnjë dalje publike dhe ka shmangur edhe punën në komisionet parlamentare. Të dielën ajo deklaroi se nuk është më pjesë e Partisë Socialiste dhe, ndaj presionit për të dorëzuar mandatin e deputetit, iu përgjigj me kërkesën për shpërndarjen e Parlamentit dhe sfidën se do t’i mundte nga Tirana me “kë e me kë”.
Deputetja ka vendosur bllokadë për gazetarët. Sipas burimeve, as grupi parlamentar i PS nuk ka arritur ta “kapë” në telefon. Ajo ende nuk ka bërë kërkesë zyrtare as për tërheqje nga grupi dhe kalim si deputete e pavarur. (A2 Televizion)