Arben Malaj, ish-ministër i Financave, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, theksoi se demokracia në vendin tonë është gërryer që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që “i bënë kryetarët pronarë të partive të tyre, me 100% të aksioneve”.
“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 i bënë krerët e partive u bënë pronarë sh.p.k.-je të partive të tyre, me aksione 100%. Kështu që, demokracia është gërryer. Le të bëhet propagandë me këngë, valle dhe arinj, por e vërteta është kjo. Ne pamë që pas atij ndryshimi kushtetues, nuk futeshe dot në listë nëse nuk donte kryetari. Strukturat nuk reagojnë. Njerëzit që vetëm tundin kokën, nuk e kanë të nevojshme shtyllën kurrizore sepse u mjafton vetëm qafa”, tha Malaj.
“Sot ne po shikojmë politikanë manekinë, që duan vetëm të mbijetojnë vetë dhe nuk bëjnë asnjë debat të brendshëm dhe nuk propozojnë asnjë ligj. Kjo është detyra numër 1 e deputetit, por ata që nuk flasin fare zënë vendin në listën e deputetëve, ndërsa ata që kritikojnë sadopak, mbeten jashtë listave dhe i ndërpritet karriera politike thjesht për qejfin e liderit të radhës”, shtoi Malaj.
(A2 Televizion)