Nga Maliqi, Edi Rama u ktheu përgjigje atyre që ishin habitur nga ofendimet e tij ndaj burrave. Kryesocialisti pohoi se gratë janë pjesë dërrmuese e elektoratit të Partisë Socialiste, teksa vijoi ofendimet në adresë të meshkujve. Nga ana tjetër, Rama kërkoi një votë përtej të majtës e të djathtës, që mbyllja e negociatave të anëtarësimit në BE në vitin 2027 të mos vihet në rrezik.
Nga Maliqi, Edi Rama shpjegoi se ofendimet e tij në adresë të burrave lidheshin me përkatësinë gjinore të shumicës së elektoratit socialist: “Sepse PS-në e mbështesin 56% e grave dhe vajzave të Shqipërisë. Bëj bulevardin, jepi dritë qytetit... Bëj çfarë të duash ti, por do kënetën ai, është çyryk”.
Kritikat, jo vetëm nuk e ndalën, por shtoi dozën: “Si mund të thotë njeriu “nuk jam çyryk”. Ai që e thotë këtë, vetëm çyryk është. Burrat, gjysmën e trurit e kanë me ujë kënete”.
Nëse nga 11 Maji nuk del një shumicë bindëse, objektivi për të mbyllur negociatat në vitin 2027 është në rrezik, pohoi Rama.
Për këtë arsye, kërkoi që vota e 11 Majit të jetë përtej dallimeve partike. (A2 Televizion)