Trokitja në derën e Komisionit të Ligjeve për të kërkuar më shumë para, qëlloi të mos ishte një proces i lehtë për përfaqësuesit e Bajram Begajt. Oreksi i kreut të shtetit për më shumë fonde ishte rritur, ndaj kërkoi nga deputetët një shtesë për buxhetin e vitit 2025 me qëllim rindërtimin e godinës dhe blerjen e dy automjeteve të reja. Këto kërkesa morën një refuzim elegant nga ana e përfaqësuesit të Ministrisë së Financave.
Kur debati u transferua në tavolinën e deputetëve, eleganca dhe kortezia doli në plan të dytë. Gazment Bardhi ironizoi kërkesat e Begajt si nevoja luksi, të cilat i kishin ulur autoritetin institucionit.
“Të bëjë një sallon bukurie që mos ta marrë më parukieren me vete në aktivitete zyrtare, do kolltuk e makinë. Iu qa Erdoganit për zyrat e vogla”, deklaroi Bardhi.
Fjalët e Gazment Bardhit nuk u pëlqyen nga socialistët të cilëve u kishin tingëlluar si ironi ofenduese për kreun e shtetit.
Presidenti kishte kërkuar 3 milionë euro për restaurimin e godinës, kërkesë e cila u pa e papërshtatshme nga ana e opozitës.
“Po ti vesh një tapet jeshil dhe dy porta ka hapësirë me luajtur futboll. E do me më shumë dritare dhe dyer godinën Presidenti?” pyet Bardhi.
Përfaqësuesit e presidentit në komision qëndruan larg debatit por përgjigjen ia dha kryetarja e komisionit.
Kërkesat e Begajt do të shqyrtohen nga ana e komisionit ku do të vendosin nëse do t’ia plotësojnë apo jo dëshirat për më shumë para. (A2 Televizion)