
Kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi sot ndryshime, duke deklaruar se kreu i Kuvendit Niko Peleshi do të zëvendësohet me Taulant Ballën. Sipas Berishës, ka panik dhe frikë në kampin e qeverisë dhe do të kontrollohet Komisioni Balla, që sipas tij po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata.
“Ndërkohë, panik, tmerr, frikë në kampin e qeverisë. Krijohet Komisioni Balla. Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra. Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij. Me kryetarin e komisionit të vëzhgimit të rrjeteve sociale të nomenklaturës socialiste. A do ketë viktima të tjera? Do ketë, por ato janë pa emër, pa pasojë, ndaj dhe nuk ia vlen fare t’i përmendësh”, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi po ashtu kryeministrin Edi Rama, se bandat e tij përmes Tom Doshit, po sulmojnë protestuesit paqësorë. Berisha thotë se PD dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës ndaj lëvizjes paqësore rinore qytetare.
"Së dyti, duhet të dënoj me forcën më të madhe bandat e Edi Ramës, që nëpërmjet Tom Doshit, sulmojnë flamingot, sulmojnë protestuesit paqësorë. I rikujtoj Tom Doshit se ai është përdorur si mish për top me 21 janar dhe të heqë dorë nga keqpërdorimi si mercenar i Edi Ramës. PD dënon me forcën më të madhe çdo ndërhyrje të Edi Ramës ndaj lëvizjes paqësore rinore qytetare më të fuqishme që vendi ka njohur që nga vitet ’90 dhe u bën thirrje demokratëve të bëjnë çdo përpjekje për të marrë pjesë në këtë lëvizje si qytetarë jashtë logove partiake në interesin më të mirë të vendit", vijoi ai.
(A2 Televizion)