Qytetarët e Përrenjasit u rikthyen në protestë kundër shkrirjes së tyre me Bashkinë e Librazhdit. Ata presin reflektim nga mazhoranca socialiste propozuese e projektit që redukton numrin e bashkive në vend. Sipas tyre bashkimi me Librazhdin mund të sjellë pasoja të mëtejshme për qytetin dhe zonat përreth.
Reduktimi i shërbimeve dhe largimi i vendimmarrjes lokale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve, ndërsa zonat rurale rrezikojnë të mbeten edhe më të izoluara thanë banorët.
Banorët thonë se nuk qëndrojnë as arsyet e paraqitura në dokumentin e reformës territoriale pasi sipas tyre performanca e Bashkisë Prrenjas, resurset natyrore, pasuritë kulturore dhe potenciali ekonomik i territorit janë tregues se kjo bashki ka kapacitetet e nevojshme për të vijuar ekzistencën si njësi më vete.
Për këtë thonë se ndryshimi i kufijve administrativë nuk duhet të bëhet vetëm mbi bazën e një analize teknike, por duhet të marrë në konsideratë edhe realitetin social, ekonomik, historik dhe gjeografik të zonës. (A2 Televizion)