Reforma territoriale, Berisha: Kundër interesit qytetar me synim shpopullimin, do ta kundërshtojmë

Nga A2 CNN
17 Gusht 2026, 13:15 | Politikë

Reforma territoriale, Berisha: Kundër interesit qytetar me synim

Në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe me synim shpopullimin e Shqipërisë, e ka cilësuar kreu demokrat Sali Berisha reformën territoriale, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Në një konferencë për mediat nga selia blu, kreu demokrat tha se Partia Demokratike do të ndërmarrë çdo hap për të kundërshtuar propozimin e socialistëve për shkrirjen e bashkive të vendit. Sipas PD do të vijojë dialogun me qytetarët për të ndërmarrë veprimet e duhura.

“PD është kundërshtarja e parë, siç e dini ju, e projektit të Edi Ramës me të cilin ai nga 61 bashki, kalon në 46 bashki. Ne e kemi denoncuar me forcën më të madhe këtë akt të njëanshëm për dy arsye kryesore.

Së pari, kjo vjen në kundërshtim flagrant me interesat e qytetarëve të këtyre bashkive dhe ka si qëllim madhor Shqipërinë në pëllëmbë të dorës së Edi Ramës, përqendrimin më maksimal të kompetencave të qeverisjes qendrore.

Së dyti, kjo është platformë e shpopullimit të Shqipërisë, më e fuqishme disa herë se ajo e Çubrilloviçit në Kosovë, sepse kjo de facto privon qytetarët nga shërbimet e domosdoshme për komunitetet në zonat e tyre. Ne, natyrisht, po e ndjekim.

Kemi dhe do vazhdojmë një dialog me qytetarët, do ndërmarrim të gjitha hapat e duhura për kundërshtimin e saj.

Një reagim pozitiv vjen nga Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, i cili nuk mund të konceptojë që të merren vendime pa u pyetur komuniteti”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mizogeni që nxori jashtë mbledhjes kryetaren e Bashkisë Dimal, pasi kundërshtoi reformën territoriale.

“Ky është një mizogen i pashembullt. Në një akt ekstrem mizogenie, ky nxjerr nga mbledhja kryetaren e bashkisë së Dimalit vetëm se guxon, dhe nuk nxjerr ata kryetarët që thanë të njëjtat gjëra. E kuptoni ju, çfarë mizogeni është ky? Që nuk mund ta nxirrte kurrë. Në një anë ky filloi të flasë për besën, por është i pabesë. Po nëse ecën në rrugën e besës dhe kanunit, në kuvend që të gjithë pa përjashtim janë të barabartë. Dhe jo të nxjerrësh një zonjë nga mbledhja, pavarësisht se ajo është socialiste, por ky është një ofendim, një lëndim për të gjitha gratë e Shqipërisë. Është mizogen!” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos