Zhurmat e kapsollave, tymueset dhe karriget mbi foltore nuk e penguan PS që të miratonte me 74 vota buxhetin nen për nen dhe në tërësi, bashkë me paketën fiskale që e shoqëron.
Në një seancë që zgjati më pak se 10 minuta, mazhoranca përdori të njëjtin skenar si kundërpërgjigje ndaj aksionit të opozitës, duke kaluar drejt e në votim.
Mazhoranca nuk mori parasysh as amendamentet e opozitës për buxhetin, duke i rrëzuar me votë kundër.
Në këtë seancë plenare u bashkuan edhe deputetët e Lulzim Bashës, të cilët nuk morën pjesë në ndezjen e tymuesve, por ju bashkuan votimit të rendit të ditës, edhe pse me votë kundër.
Në sallë nuk foli pasi ndihmoi kolegët e tij për të mbledhur karriget, por në oborr Ervin Saljanji tregoi rezervat për buxhetin e 2024.
Pasi e cilësoi aksionin e opozitës qesharak, kreu i grupit parlamentar socialist tha që mazhoranca është e hapur për dialog, por me kusht.
“Nuk kemi nevojë për krokodil jemi të hapur për dialog, por të respektohen parimet kushtetuese.”
Në këtë seancë socialistët erdhën me ide të reja ndëshkuese për t’i kaluar me procedurë të përshpejtuar. Në ndryshimet e propozuara nga ata për rregulloren e Kuvendit kërkohet që deputetët, të cilët do të ndezin tymuese në sallë të përjashtohen me 60 ditë.
Ndërsa kur deputetët përplasen me kolegët e tjerë, me oficerët e gardës apo dëmtojnë karriget e Parlamentit do të “dënohen” me 30 ditë përjashtim.
“E keni parë që besoj ne jemi shumë tolerantë në këtë pikë me opozitën, me gjithë këto sjellje vandale që ato bëjnë. E kemi parë parlamentin italian se si e kapin Zgarbin ata punonjësit, dy prej komësh, dy prej duarsh. Në Itali 15 seanca plenare përjashtohesh, kështu që i kemi parë të gjitha, po i shohim të gjitha. Të gjithë parlamentet kanë sanksione kur bëhet fjalë për dhunë, pengim të zhvillimit.”
Gjashtë deputetë demokratë, me në krye Sali Berishën dhe Gazment Bardhin e kishin të pamundur të ishin në seancë plenare për shkak të përjashtimit me 10 ditë nga socialistët. (A2 Televizion)