Në Seancën e sotme Plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, tha se mazhoranca ishte e gatshme për të vijuar me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Peleshi bëri të qartë se PS nuk ka asnjë kundërshtim për të ndjekur procedurat parlamentare mbi bazën e propozimeve të opozitës dhe se disa kandidatura sipas tij tashmë ka marrë firmat e opozitës, shkruan A2 CNN.
“Për ne, procesi duhet të vijojë siç kemi rënë dakord më herët. Nuk kemi kundërshtim për asnjë emër, por është e rëndësishme të respektohet rruga institucionale,” u shpreh Kryetari i Grupit Parlamentar të PS.
Ai gjithashtu bëri me dije se ka kërkuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që të ulen për diskutime mbi këtë çështje dhe se mazhoranca është në pritje të një përgjigjeje nga opozita. “Unë kam bërë hapin tim në emër të grupit, tashmë mbetet që edhe pala tjetër të tregojë vullnetin e saj,” përfundoi Peleshi. (A2 Televizion)