Dalja nga Ballkani i Hapur është objektivi kryesor që Partia Demokratike ka në programin e saj për sektorin e Bujqësisë, me arsyetimin se ka ndikuar në falimentimin e mijëra fermerëve. Pohimi erdhi nga kryedemokrati Sali Berisha, i cili prezantoi ofertën elektorale të opozitës për fermerët, shkruan A2 CNN.
“Dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur, që po rrënon prodhimin bujqësor dhe blegtoral shqiptar, dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit evropian. Karta e ID do të jetë NIPT-i i fermerit, mbështetje direkte, subvencion për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë, ku çdo fermer do të identifikohet me një NIPT. TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do të jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do të shkojnë direkt te fermeri dhe jo te grosisti”, tha Berisha.
Më tej, Berisha tregoi sesi PD do të mbështesë financiarisht fermerët. “Mbështetje me grante dhe kredi të buta për fermerët dhe agropërpunuesit për futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe përpunimin e produkteve bujqësore, automatizimin, digjitalizimin, blerjen e traktorëve dhe pajisjeve të tjera. Kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve. Kjo si një mënyrë efektive për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe braktisjen e zonave rurale”, shtoi ai.
Sipas Berishës, kundërshtari i tij politik, Edi Rama, nuk mund të përballet me demokratët me program elektoral, ndaj ka zgjedhur të bëjë një lojë klouni me Lulzim Bashën, siç shprehet ai, të cilin, sipas kryedemokratit, Rama e ka zëvendësuar me Erion Veliajn. (A2 Televizion)