Të shtunën e 1 qershorit, Partia Demokratike zyrtare do të prezantojë programin për garën elektorale të vitit 2025.
Arbi Agalliu, sekretar për Programin, pohon se platforma që do të prezantohet nga partia e Lulzim Bashës tenton të përfaqësojë të gjitha shtresat e shoqërisë.
“Mundohet të ketë në vëmendje të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke i dhënë hapësirë të gjithë individëve, të gjithë sipërmarrësve, duke pasur në vëmendje tregun e lirë, të rinjtë, fermerët, shtresat në nevojë. Problemet me pronësinë si një nga shtyllat e së djathtës shqiptare. Patjetër që nuk ka lëvizje nga boshti ideologjik i PD, që është tregu i lirë, barrë fiskale e ulët”.
Por sa ndryshon ky program me premtimet e vitit 2021, kohë kur Partia Demokratike edhe pse e bashkuar nuk arriti që të bindte shumicën e qytetarëve.
“Kemi zbrazje të shqiptarëve, ndaj këto fenomene që janë vënë re në jetën publike janë reflektuar në program. Qëllimi është ritkthimi i jetës normale në Shqipëri. Duam të mbështesim punën e ndershme, duke kthyer trurin në Shqipëri”.
Deputeti demokrat është i vetëdijshëm që shpesh herë programi është i pakuptueshëm nga qytetarët.
“Fill pas lançimit të programit, grupet e PD do të fillojnë një fushatë me grupet e interesit”.
E teksa programin duket se PD e ka gati, lista e kandidatëve vijon të mbetet një mirazh. Premtimi se emrat e kandidatëve do të ishin gati në mars, e më tej në maj, duket se tashmë ka një afat të ri, pasi vapa të ikë bashkë me gushtin.
“Besoj që shumë shpejt, duke pasur parasysh që përpara është kampionati Evropian janë pushimet e verës dhe sensibiliteti bie, besoj me sezonin e ri do jetë gati dhe ekipi për deputetë”. (A2 Televizion)