Shpopullimi, problemet e arsimit, skandali tek Onkologjiku, korrupsioni dhe ekonomia janë disa nga çështjet që sipas Belind Këlliçit do të adresohen në protestën e 11 Korrikut.
Në një intervistë për A2 CNN, Këlliçi pohoi se ky tubim në fokus ka edhe çështje të tjera politike si kërkesa tashmë 6 mujore për lirimin e Sali Berishës.
“Kryefjalë do jetë jetë qeveria teknike dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi Rama në 11 vite i ka vjedhur zgjedhjet. Kauzë tjetër është dhe lirimi i kryetarit të opozitës doktor Berishës”, tha Këlliçi.
Por pavarësisht se Berisha vijon të jetë në arrest në shtëpi, lideri demokrat do ta përcjellë mesazhin e tij në këtë tubim. Sërish në ndihmë vjen teknologjia.
“Mendoj që ai do duhet të jetë dhe do të jetë prezent edhe në këtë protestë, ta mundëson teknologjia që zoti Berisha të jetë në këtë protestë, është e domosdoshme protesta e tij pasi është kryetar i opozitës”, shtoi demokrati.
Anëtari i Kryesisë së PD premton një pjesëmarrje masive në këtë tubim, pasi siç thotë ai është shtuar reagimi qytetar kundër qeverisë.
“Pritshmëritë për protestën janë të jashtëzakonshme, jam i bindur që do jetë më e fortë dhe më e madhe se 7 Korriku i 2022 dhe 20 Shkurti i 2024”.
Sa i përket skenarëve, Këlliçi shprehet i rezervuar, por thotë se janë qytetarët që do të përcaktojnë nervin e protestës.
“Jam i bindur që do shihni diçka ndryshe. Është një protestë që ka ardhur si kërkesë nga poshtë-lart”, shtoi Këlliçi.
Sipas tij ky tubim nuk do të jetë i fundit për këtë vit, por opozita do të jetë çdo javë në shesh para Bashkisë së Tiranës. Përveç temperaturave të larta, Këlliçi premton se do jetë një stinë e nxehtë edhe sa i përket denoncimeve kundër Erion Veliajt. (A2 Televizion)