Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, studentët ndryshojnë strategji: Protesta kombëtare dy herë në javë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2026, 18:18 | Politikë

Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, studentët ndryshojnë

Studentët në protestë kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare ditën e shtunë, më 7 nëntor, në orën 14:00, përballë Ministrisë së Arsimit.

Përmes një deklarate, studentët bëjnë me dije se pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, kanë vendosur të ndryshojnë strategjinë e organizimit, duke zhvilluar protesta kombëtare dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.

Ata theksojnë se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa akuzojnë pushtetin se ka injoruar deri më tani kërkesat e protestuesve.

Sipas deklaratës, ky vendim synon t'u japë studentëve dhe mbështetësve të tyre mundësinë për të ruajtur angazhimin dhe intensitetin e protestave.

Studentët bëjnë gjithashtu të ditur se do të vijojnë të mbështesin protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, pavarësisht kohës kur ato organizohen.

"Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura", thuhet në deklaratën e shpërndarë nga grupimi "Studentët në protestë".

Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, studentët ndryshojnë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos