Kauza për qeverinë teknike që u artikulua nga opozita në protestën e 11 korrikut, për Dashamir Shehin, është hipokrizi. Në studion e Dita Jonë në A2 CNN, Shehi shprehet se kjo kauzë nuk vlen, pasi me qeveri teknike nuk zgjidhet asnjë prej problem. Sipas tij opozita duhet të fokusohet tek reforma zgjedhore, nëse do të zgjidhë vërtetë problemin e vjedhjes së votave dhe administrimit të zgjedhjeve.
“Kauza quhet qeveri teknike. Unë nuk jam për qeveri teknike. Është një hile e vjetër e kot që nuk ka funksionuar ndonjëherë në Shqipëri. A bëmë qeveri teknike në 2017? Çfarë fituam? Kemi bërë në 1991, pa sukses. Qeveri e shpëtimin kombëtar në 1997, çfarë fitoi Shqipëria”.
Më ashpër në kritika ishte me Ilir Metën. Sipas Dashamir Shehit, Meta nëse vërtetë kërkon drejtësi duhet të shkojë të përballet me prokurorët dhe jo t’i sulmojë nga protesta e opozitës. “Ai ka hip atje të thoshte ato Dum Dumanët, të shante prokurorët që i vijnë vërdallë. Në vend që të përballet si burrat për atë që kanë bërë ia venë fajin sistemit. Që Berisha mund të qahet dhe të bërtasë, i ka nja dy të drejta, pasi po mbahet në arrest për një çështje administrative, unë do e kisha nxjerrë nga burgu që mos bëjë heroin nga penxherja. Se u bë qesharake kjo punë. Të dalë e të vijë në parlament të flasë si gjithë të tjerët”.
Këto kritika duket se Ilir Meta nuk i ka përtypur dot. Me anë të Sekretarit të Përgjithshëm, Tedi Blushit, Meta është përgjigjur deklaratave të Shehit të bëra në A2 CNN. Sipas Blushit, kreu i LZHK është pseudo-opozitar që nuk përfaqëson askënd dhe kontrollohet nga Edi Rama.
“Kjo figurë karagjoze e “fake opozitës”, që dërgohet nga Edi Rama dhe Lul Basha nga një banak në tjetrin me premtimin për një qyl-mandat, ka marrë përsipër të “legjitimojë” edhe institucionin e kapur prej fyti nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, si SPAK-u i Dum-Dumanëve. Të gjithë kecat e Edi Ramës dhe Lul Bashës bashkë me Dashin e tyre që lufton veç për qyl-mandat dhe qyl-faqore duhet ta kenë të qartë se lufta pakompromis dhe patriotike e Ilir Metës me regjimin kriminal të Narkoshtetit dhe Ramaformës nuk ka kthim pas”.
Sipas Blushit, Meta është burrë shteti që ka bërë beteja me Ramën, SPAK dhe mafien ndërkombëtare. (A2 Televizion)