Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu, deklaroi se qeveria duhet të reflektojë nga protesta, por shprehu gjithashtu bindjen se “ka ndërhyrje nga shtetet e huaja”.
“Protesta është e drejtë kushtetuese e çdo qytetari që të protestojë. A ka vend që qeveria të reflektojë, që Parlamenti të reflektojë? Patjetër. Duhet rritje e pagave e vazhdueshme për mësuesit, për mjekët, infermierët, për punonjësit e policisë, ushtarakët… duhet rritja e pensioneve. Unë edhe gjatë kohës që isha deputet, mandatin e kaluar, ndiheshim me turp për sa i përket rritjes së pensioneve, pasi të gjithë kemi prindër në shtëpi dhe pensionet realisht janë shumë të vogla. Nuk mjaftojnë për të marrë ilaçet apo për të siguruar jetesën. Ulja e çmimit të naftës është diçka tjetër që realisht qeveria duhet ta shohë. Ka shumë kërkesa të drejta të qytetarëve në shesh që qeveria duhet të reflektojë. Por, e besoj luftën hibride. Ka ndërhyrje nga shtete të huaja dhe këtë e them me bindje të plotë, por edhe me garanci. Kam qenë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në seancat me Shërbimin Informativ Shtetëror, Policinë e Shtetit, Agjencinë e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes, realisht këtu ndërhyjnë shtete dhe Shqipëria është përpara një anëtarësimi, përpara një vendimmarrje shumë të madhe”, tha Deliu në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, duhet një hetim i mirëfilltë për rreth 10 mijë profilet që kanë lënë “review” negative për restorante dhe hotele në Shqipëri.
“Për të kaluar tek drejtori i policisë. Sot ka pasur një deklaratë. Një hetim i mirëfilltë i këtyre llogarive, të adresave të Facebook-ut apo adresave të tjera të rrjeteve sociale, është i rëndësishëm në këtë moment, por edhe me dyshime të arsyeshme nga shërbimet inteligjente. Më besoni për këtë. Në radhë të parë, janë disa pyetje që ngrihen për këto rrjete sociale, këto adresa. Ku janë hapur llogaritë e këtyre adresave, IP-ve? Sa kohë kanë qenë aktive? Këto do t'i tregojë hetimi, videot, mesazhet që kanë shpërndarë, lidhjet ndërmjet adresave, a korrespondojnë data, ora dhe lloji i mesazhit që shpërndahet nga këto adresa? Të gjitha këto unë mendoj që do t'i japin një panoramë të qartë edhe ndërhyrjeve të huaja, që nuk e duan të mirën e Shqipërisë. Lufta e rrjeteve sociale ka nisur para dy vitesh dhe unë kam qenë shumë aktiv në atë kohë përsa i përket disa informacioneve të kompanive të vendeve të huaja që bënin dizinformim për plazhet tona me video dhe video që ishin të filmuara në mëngjes herët, ku tregonin plazhet shqiptare bosh, ku tregonin çmime të larta për plazhet shqiptare, ku tregonin papastërti, pasiguri dhe plazhe bosh. Policia e Shtetit është nisur nga informacione që Shërbimi Inteligjent i ka dhënë”, theksoi Deliu. (A2 Televizion)