“Mazhoranca ka reflektuar mbi protestën qytetare, por një pjesë e madhe e përhapjes së saj në rrjetet sociale është ndikuar nga algoritmet dhe promovimi i përmbajtjeve online”. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN deputeti socialist Erio Mile, sipas të cilit edhe miq të tij kanë rënë pre e këtyre algoritmeve.
“Ne ndodhemi në një betejë elektronike. Sot betejat, realisht ndodhin në telefon. Unë kam pasur dëshmi dhe nga miq të mi, të cilët kanë account-et e tyre, qoftë në Instagram, qoftë në TikTok, qoftë në Facebook, të cilët janë shumë private. Pra ata nuk kanë më shumë se 50, 40, 70 ndjekës, shokë të përbashkët në rrjetet e tyre e tyre sociale. Ishte e pamundur që ti mos t'i shmangeshe attached nga protesta. Pra algoritmi me patjetër ty të nxirrte thirrje, mesazhe të tjera, pavarësisht se ti nuk i ndiqjee këto faqe. Janë ato që quhen boost nga ekspertët, ose nga çdokush që njeh pak rrjetet sociale ka pasur një boost-im shumë të madh të elementit të protestës. Do shikoni që ka me qindra dhe qindra account fake”, tha ai në Off the Record Me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Deputeti paralajmëroi më tej se inteligjenca artificiale do të ketë një ndikim gjithnjë e më të madh në formësimin e opinionit publik në rrjetet sociale.
“Ka filluar që inteligjenca artificiale të përdoret patjetër dhe gjerësisht në ndikimin dhe në influencën e rrjedhjeve sociale. Do shikoni çudira. Sot ne do të shikojmë shumë shpejt se si dhe inteligjenca artificiale përdoret për të krijuar opinion publik në rrjet. Pra nuk ka më nevojë që të vendosen njerëz mbrapa një accounti ose një njeri i cili mund të ketë dy tre accounte dhe ai të punojë në mënyrë mekanike për të komentuar, për të dhënë lajme, për të dhënë share, por tashmë inteligjenca artificiale arrin që të ndërhyjë në rrjete, të shumfishojë akaunte, madje dhe të komentojë si sikur të jenë banorë të Shqipërisë”.
Ai shtoi se, pavarësisht të drejtës për të protestuar, sipas tij gjatë protestës ka pasur edhe përpjekje për intimidim publik ndaj personave që kishin qëndrime të ndryshme nga protestuesit.
“Ajo çka është bërë problem për çdo person dhe individ i cili ka pasur një mendim ndryshe nga protestuesit dhe kjo është po e drejtë e tij siç është e drejtë e të gjithë të tjerëve të protestojnë, është ajo që quheshe intimidimi publik".
Mile theksoi gjithashtu se gjuha mortore nuk sjell pozitivitet, ndërsa theksoi se tashmë në Shqipëri garantohet liria për të protestuar pa u përballur me dhunë nga shteti.
"Protesta bëri bashkë grupe të ndryshme shoqërore dhe njerëz me shqetësime të ndryshme. Mazhoranca ka nxjerrë shënimet e veta, ka reflektimet e veta. Unë nuk do ta shikoja si një gjuhë mortore duke lidhur me 40-at. Mjaftonte ai arkivoli në bulevard edhe të gjithë ato pamje që na dha një retrospektivë kujtimesh. Mendoj që gjuha mortore nuk sjell asnjëherë pozitivitet edhe nuk doja që dhe në këtë protestë të ishte kjo lloj gjuhe. Sa për protestën, ne e shikojmë edhe gjithë kurbën e saj. E kemi parë gjatë gjithë kësaj kohe. Gjëja më e mirë është që njerëzit janë të lirë të protestojnë, janë të lirë të shprehin opinionet e tyre, madje të organizohen në forma ndryshe dhe për çështje të cilët ata mendojnë që janë sensitive të dalin në shesh dhe të protestohet. Ky është një sinjal i mirë, duke pasur parasysh edhe nga vijmë. Nuk vriten dhe nuk do vriten kurrë me njerëz në shesh pse protestojnë. Madje dhe kur bëhen disa akte të dhunshme dhe do të dhe shikojmë edhe agravim, shohim ndërhyrje të policisë për të neutralizuar, për të qetësuar situatën, por kurrë asnjëherë dhunë ndaj protestuesve”.
(A2 Televizion)