Në ditën e pestë pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit dhe me të gjithë vëmendjen tek komuniteti politik, ku gjithë liderët evropianë kishin zbarkuar në Tiranë për Komitetin Politik Evropian, demokratët dolën në protestë.
Me kauzën e vjedhjes së zgjedhjeve, protesta synonte sensibilizimin e liderëve të huaj për atë që e quajnë masakër elektorale, por lufta e opozitarëve u kthye kundër medias. Ajo, në fakt, sensibilizoi vetëm militantët për të sulmuar gazetarët. Pas Nokës, radha për të nxitur turmën kundër gazetarëve ishte e kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Palokës, shkruan A2.
Teksa debati me gazetarët ishte ende në zhvillim, Sali Berisha, i cili gjatë ditës kishte zhvilluar takime në samitin Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar, mbërriti në tubim dhe njoftoi se kishte marrë mbështetje nga ndërkombëtarët për kauzën e tyre: “Njoha miqtë me të gjitha shkeljet monstruoze dhe bindja e përgjithshme ishte se karrigia e Edi Ramës qëndron mbi krimin monstruoz të grabitjes dhe plaçkitjes së zgjedhjeve të qytetarëve shqiptarë”.
Berisha kërkoi angazhimin e të gjithëve për të çuar përpara kauzën: “Kjo betejë kërkon angazhimin e të gjithëve ne, të gjithë shiqptarëve, por ju siguroj se kjo betejë do zhvillohet në çdo zyrë të rëndësishme, në çdoparlament, në çdo qeveri të vendeve të lira në Europë dhe në botë”.
Me premtimin se ky tubim nuk do të jetë i fundit, Berisha premtoi se zëri i demokratëve do të dëgjohet nga të gjithë ndërkombëtarët: “Zëri ynë, zëri juaj, zëri i shqiptarëve qëluftojnë për votën e lirë, do dëgjohet dhe do ushtojë fuqishëm në Europë dhe botë”. (A2 Televizion)