Protestuesit i kërkojnë dorëheqjen, Rama: Do të qeverisim sipas kontratës, Shqipëria është në duart tona

Nga Fjorela Beleshi
20 Qershor 2026, 17:07 | Politikë

“Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, ka mbaruar”. Edhe pas tre javëve protestë në Tiranë, Kryeministri Edi Rama e injoroi këtë thirrje. Nga Pallati i Brigadave ua bëri të qartë qytetarëve se nuk do të largohet pa e futur Shqipërinë në BE. Ky është mesazhi që do të shpërndajnë të gjithë socialistët.

Rama u shpreh se: “Ajo që mbetet për t’u bërë, të dashur, është që ne të refuzojmë të ndjekim çdo dallgë; është që ne të qeverisim Shqipërinë sipas kontratës që kemi me popullin shqiptar dhe jo sipas algoritmit. Nuk e di se për çfarë arsye, si, qysh, tek, mund ta kem lënë edhe përshtypjen që më ka shkuar ndër mend që unë të jap dorëheqjen. Dhe gjithmonë e më shumë, sepse gjithmonë e më shumë njerëz ftillohen, gjithmonë e më shumë njerëz shohin që e gjitha kjo është diçka që nuk rri; që nuk rri as në qiell e as në tokë. Shqipëria është e gjitha sot në duart tona, jo në këmbët e atyre që bëjnë xhiro. Shqipëria nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur. Shqipëria është një vend që sot është në një luftë të madhe me vetveten dhe BE-ja është “Itaka” jonë.

Ajo që dikur dukej arma e tij më e fortë, shpërndarja nga çdo qelizë e partisë dhe administratës e punëve të qeverisë, duket se është përmbysur nga një tjetër algoritëm në rrjetet sociale. Dhe kjo e ka shqetësuar.

Algoritmit i ka veshur fajin e madh që po mban të gjallë protestën e qytetarëve, pasi Kryeministri nuk sheh gabime nga qeveria apo mungesë transparence përsa i përket investimit në Zvërnec.

“Degradimi i dhunshëm i një sherri vulgar mes rojeve të sigurisë private dhe një protestuesi të marrë zvarrë në një lokalitet të Shqipërisë u bë zanafilla e një lufte globale online, ku nuk mbeti llogore mediatike e planetit pa shkrehur municionet përkatëse. Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje krejt armata globale online, që kujtoi se gjeti në bulevardin e Tiranës Vaterlonë e Donald Trump dhe, si në një film science fiction”, u shpreh Rama.

Të papërtypshme kanë qenë kritikat e ish-bashkëpunëtorëve të tij socialistë, ndërsa zemëratën e brendshme të grupit e cilësoi si një zë i cili nuk do të marrë formë.

“U mblodhën së bashku nën një prurje që nxori në bregun e gjithë këtij oqeani virtual deri dhe dhëmbë të atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe, kur ranë nga kali, filluan të gjuanin me këpucët e blera në shoppingjet majë kali. Befas, Zvërneci u bë kërthiza e botës ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Dhe kam parë që ka edhe shpirtra të humbur këtu në familjen tonë politike që duan një Shqipëri të re. Fair enough. Mezi pres që të na e sjellin draftin e Shqipërisë së re të shkruar dhe patjetër jemi gati të bëjmë një marrëveshje të re për një Shqipëri të re, por kam frikë se drafti nuk do të vijë kurrë, sepse Shqipëria e re është njësoj si të gjitha siluetat e flamingove", tha Rama.

Përpos evidentimit të armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, Edi Rama u dha leksion demokracie deputetëve dhe ministrave të tij.

“Sfida më e madhe e kësaj kohe është liria e fakteve, sepse demokracitë nuk rrezikohen vetëm nga ata që ndalojnë të vërtetën të flasë; rrezikohen nga ata që e mbysin në një lumë të pafund gënjeshtrash. Nuk kam qenë kurrë në Aruba, nuk e di fare për çfarë bëhet fjalë se ka ndodhur në Aruba, nuk kam kërkuar kurrë njeri të shkojë në Aruba. S’ka asnjë vlerë fare, sepse ndërkohë Aruba është bërë e vërtetë. Është nxjerrë në këtë fushën e algoritmit. “O drogaxhi”, është një refren që mua më ndjek si një “e vërtetë”, siç është “e vërtetë” që unë kam akuzuar tim atë për marrëdhënie me time shoqe dhe për atësinë e djalit tim. Është “e vërtetë”. Është bërë e vërtetë, çfarëdo që...”, u shpreh kryeministri.

Kryesocialisti sulmoi të gjithë ata që po protestojnë kundër tij, me pretendimin që i janë bashkuar turmës online për t’u pasuruar.

“I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim”, vijoi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos