Deklarimet e një bashkëpunëtori të drejtësisë kanë ndihmuar SPAK në hetimin kundër kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa.
Kjo përbën herën e parë kur SPAK ka një “të penduar” në një hetim për “korrupsion” dhe jo për krime kundër jetës nga krimi i organizuar. Ekzistenca e një bashkëpunëtori të drejtësisë përmendet nga SPAK në akt-akuzën ndaj të pandehurve, shkruan A2.
Deri në këtë fazë të hetimit, identiteti i personit që është “zbërthyer” para hetuesve duke dhënë shpjegime të mjaftueshme sa për t’i ofruar një marrëveshje bashkëpunimi është mbajtur në sekret.
Burime jozyrtare pranë SPAK bënë me dije i penduari është një person i afërt i Ajola Xoxes, bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj me rol të rëndësishëm në një nga organizatat jofitimpruese, mes të cilave Xoxe dyshohet se ka krijuar një skemë kriminale të përvetësimit të fondeve publike të Bashkisë Tiranë. Deklarimet e bashkëpunëtorit të drejtësisë listohen nga SPAK në akt-akuzën e firmosur nga të pandehurit e çështjes, si një nga aktet hetimore mes të cilave provohen akuzat e ngritura ndaj të dyshuarve.
Bashkëpunëtori i drejtësisë është një nga të pandehurit e çështjes dhe në përfundim të procesit përfiton zbutje të masës së dënimit, deri në përjashtim nga dënimi, në varësi të ndihmës së dhënë për hetimin. Në dosjen “Veliaj”, SPAK ka grumbulluar më shumë se 90 dëshmi, akt-ekspertime kontabël, dokumente shkresore nga drejtoritë e Doganave, Tatimeve, banka të nivelit të dytë, mijëra faqe dokumentacion të Bashkisë e institucioneve të tjera publikë, si edhe kqyrje në sistemet TIMS, atë tatimor dhe të Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Të mërkurën, Erion Veliaj u mor i pandehur për “korrupsion”, “pastrim të parave”, “fshehje pasurie” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg”, ndërsa Ajola Xoxa për “korrupsion”, “pastrim të parave”, “mosdeklarim të pasurisë” dhe “fshehje të të ardhurave”.
Për të njëjtën çështje janë marrë të pandehur gati 30 persona fizikë e juridikë. (A2 Televizion)