Ka përfunduar numërimi i 54 kutive të votimit në Bashkinë e Shijakut. Në një lidhje direkte për A2 CNN kryetari i bashkisë Elton Arbana konfirmoi se PS ka marrë 2 mijë vota më shumë se PD në këtë bashki dhe ka një rritje me 600 vota. Sipas tij vullneti i shijakasve nuk do të shkojë dëm.
“E prisnim rezultatin sepse në bashkinë e Shijakut janë bërë shumë punë dhe qytetarët kishin momentin e duhur për të vlerësuar punën në këto vite. PS ka fituar bindshëm ndaj PD dhe jam shpresëplotë se vullneti i shijakasave nuk do të shkojë dëm. Do t’i shërbejmë siç i kemi shërbyer në këto vite”.
Në lidhje studion e A2 CNN Arbana u shpreh shpresëplotë për arritjen e mandatit të 9 në qarkun e Durrësit, duke patur parasysh edhe votën e diasporës.
“Bashkia e Shijakut ka rritje dhe nëse ndodh edhe në bashkinë e Durrësit dhe Krujës do të ruajmë rezultatin e 2021 dhe mos harrojmë dhe votën e diasporës. Kemi pritshmëri të lartë sa i takon qarkut të Durrësit. Jam shpresëplotë se do arrihet edhe mandati i 9 në Durrës. Ky është segmenti i fundit. Një mandat historik i Ramës për ta çuar Shqipërinë në BE. Shijakasit i kanë thënë jo PD-së”.
(A2 Televizion)