Në sallën e mbushur plot me shqiptarë që mbanin flamurin kuqezi mbi supe dhe plisat e vënë në kokë, Rama nuk e fshehu aspak qëllimin e takimit me ta.
“Dua votën tuaj nga Amerika për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE në 2030”.
Teksa bëri krahasimin mes të shkuarës dhe të tashmes së Shqipërisë, Rama tha se atdheu i atyre që ishin së bashku me të në sallë ishte gati për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
Si shembull të parë përdori drejtësinë, ku tha se falë reformës që u bë në këtë sistem askush nuk është më i paprekshëm, duke komentuar kështu dhe arrestimin e liderve të opozitës pavarësisht se nuk përmendi me emër as Berishën dhe as Metën.
“Për herë të parë në historinë tonë, njerëz të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin politik, i janë nënshtruar forcës së ligjit të barabartë për të gjithë. Kurrë më parë në historinë tonë, një individ me profil të lartë politik nuk është hetuar, gjykuar apo dënuar nga një gjykatë e pakontrolluar nga politika. Historia e kontrollit të drejtësisë nga partia në pushtet ka marrë fund”.
E kur vjen puna tek Reforma në Drejtësi, kreu i qeverisë pas një kohe të gjatë, iu rikthye retorikës se kjo reformë është bërë falë vullnetit të PS dhe shtysës nga partneri strategjik SHBA.
“Amerika aty ishte edhe përpara ardhjes sonë në qeveri dhe fuqinë e saj e kishte po aq të madhe saç e ka. Amerika është edhe në vendet e tjera të rajonit, ato që janë NATO dhe që duan të futen në NATO. Si ka mundësi që nuk e solli më parë këtë peshqesh për shqiptarët që e kërkon drejtësinë edhe më parë?”
Pohoi se “Shqipëria nuk është fushë me lule”, por shtoi se po punojnë që emigrantët të kthehen në atdhe. Për shqiptarët e Amerikës pati një ftesë që të vijnë dhe të investojnë, pasi do të kenë lehtësime me zbatimin e paketës së maleve.
“Do t’iu japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, një mundësi të re me shumë avantazhe me shumë lehtësira dhe mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria”.
Edi Rama deklaroi gjatë takimit se shqiptarët do të kenë një mënyre direkte për t’u kthyer në atdhe apo për të shkuar në SHBA, pasi qeveria po negocion me kompaninë Delta për një linje ajrore Nju Jork-Tiranë.
“Shqipëria ka aeroportin me rritjen më të madhe në Evropë dhe aktualisht po negocion me kompaninë Delta për një fluturim direkt nga SHBA në Shqipëri. Nuk e di se kur përfundon negociata. Ndërkohë do të hapim dhe aeroportin e Vlorës I cili do të ketë pistën më të gjatë në rajon dhe është bërë e tillë për fluturimet transoqeanike dhe po bisedojmë me Air Albania për një fluturim të drejtpërdrejt dhe do ta bëjmë këtu në Nju Jork”.
Entuziasmi brenda sallës nuk ishte i njëjtë edhe jashtë saj.
Qindra emigrantë, të mbështetur edhe nga opozita shqiptare, kundërshtuan këtë takim të Ramës. Me pankarta në duar që kishin mesazhe kundër tij, një pjesë e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë nuk e mirëpritën kryeministrin. (A2 Televizion)