Silva Caka, zëvendëssekretare e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, ishte e ftuar në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN nga ku foli për arrestimin e Ilir Metës.
Caka e konsideroi arrestimin e Metës jo vetëm si një sulm ndaj tij, por si një "goditje ndaj shtetit të së drejtës". Caka theksoi që protokollet ligjore duket se janë thyer në mënyrë mizore, duke vënë në pikëpyetje etikën dhe profesionalizmin e strukturave të shtetit.
Ndërsa Metës i janë përmendur arsyetime të ndryshme për vizitat e tij të shpeshta në rajon, duke përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë, Silva Caka mohoi spekulimet se këto udhëtime kishin të bënin me kërkimin e strehimit politik. Sipas saj, Meta ka treguar përkushtim ndaj ligjit, duke iu përgjigjur çdo thirrjeje nga SPAK pa përpjekje për të shmangur pyetjet.
Më tej, Caka argumentoi se pse kryeministrit Rama i duhej një arrestim spektakolar i Ilir Metës. “Motivi është vetëm politik, për të dhënë mesazhe, siç e dha me Berishën, Malltezin, Salianjin. Ne ndodhemi 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe Rama e ka shfaqur aspiratën e tij për 100 mandate dhe ai do të bëjë çdo lloj metodologjie për ato 100 mandate. Beteja me Metën ka nisur që kur ai ishte ministër dhe zëvendësministër i ekonomisë dhe ka vijuar deri tani”, tha Caka. (A2 Televizion)