Qeveria mbyll TikTok, Berisha thërret protestë kombëtare në 15 mars

Nga Ervin Koçi
6 Mars 2025, 14:12 | Politikë

Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e platformës TikTok. Këtë akt të ekzekutivit e njoftoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastriliu, me argumentin se u arrit në këtë konkluzion pas shtimit të rasteve të dhunës nga platformat e rrjeteve sociale.

Sipas vendimmarrjes, për një periudhë 12 mujore, do të vijojë negocimi për të filtruar përmbajtjen e platformës në vendin tonë në mënyrë që t’i jepet sërish akses përdorimit.

Akti i qeverisë nuk pranua nga demokratët. Brenda pak minutash Berisha doli për së dyti përpara kamerave duke njoftuar një protestë kombëtare 15 mars, shkruan A2 CNN.

Vendimin e Qeverisë Rama, e krahasoi me censurën mediatike në kohën e diktaturës hoxhiste, një akt që sipas Berishës, rendit Shqipërinë krah Iranit dhe Afganistanit sa i përket shkeljes së lirisë së mendimit dhe shprehjes së saj.

Mbyllja e TikTok dhe Snapchat nisi të diskutohej gjerësisht nga qeveria në fund të vitit 2024 si mjet për të parandaluar përhapjen e akteve të dhunës te të rinjtë, pas një konflikti mes nxënësve të shkollës Fan Noli në Tiranë që përfundoi tragjikisht me vrasjen e njërit prej tyre. Vendimi u materializua dy muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, vetëm ndaj platformës TikTok në pronësi kineze. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos