Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektligjin për produktet organike shqiptare. Lajmin e dha ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, e cila shpjegoi se ky projektligj organizon rregullat për produktet organike, të cilat synohet që të vendosen në tregun shqiptar në bazë të standardeve të BE-së.
Sipas saj projektligji do të rregullojë parimet për certifikimin e operatorëve organikë, përdorimin e etiketave dhe reklamimin, si edhe rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit.
“Miratuam projektligjin i cili organizon rregullat e qarta për produktet organike të proshuara në Shqipëri, të cilat do të përgatiten dhe synohet të vendosen në tregun shqiptar sipas standardeve të BE. Në këtë projektligj rregullohen parimet për certifikimin e operatorëve organikë, përdoruesin e treguesve me etikë dhe reklamimin, rregullat e kontrollit zyrtar në çdo fazë të prodhimit, ruajtjes, shpërndarjes dhe import-eksportit. Përveç autoritetit që do të kenë në përgjegjësi kontrollin, ligji siguron miratimin e listës së produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe produktet plehëruese në bujqësinë organike dhe publikimin e kësaj liste sipas standardeve të tranparencës. Ligji parashikon ngritjen e sistemit elektronik që do të menaxhohet nga ministria”.
Ministrja tha se ky projektligj pritet të nisë zbatimin nga viti tjetër, ndërsa synohet që brenda këtij viti të miratohet në parlament.
“Projektligji është pjesë e akteve të parashikuara këtë vit dhe përafron rregulloren e BE të datës 30 maj 2018. Rregullorja ka hyrë në fuqi në 2022, por miratimi i këtij ligji fillon zbatimin nga viti i ardhshëm dhe synojmë miratimin në parlament brenda këtij viti”.
Ministrja njoftoi gjithashtu miratimin e një projektvendimi që mundëson 25 milionë euro financim për ekonominë blu, për investimin në infrastrukturën e tregtimit të produkteve të detit, si markata.
“Qeveria miratoi një projektvendim që lidhet me ekonominë blu, jemi në proces prej disa kohësh për të mundësuar financim me gati 25 milionë euro në mënyrë që infrastruktura që do mundësojë zhvillim të peshkimit në tokë, në raport me institucionet e tregtimit artizanal, por edhe të markatave, të marrin zgjerim më të shtuar, jo vetëm atë që kemi në Vlorë, por edhe qytete të tjera që e kanë të lidhur jetën dhe ekonominë me ekonominë blu”. (A2 Televizion)