Qytetarët i kërkojnë dorëheqjen, Rama mbledh socialistët, sqarim për integrimin dhe Zvërnecin

Nga A2 CNN
20 Qershor 2026, 08:56 | Politikë

Kryeministri Rama ka thirrur sot mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrat.

Takimi do të mbahet vetëm një orë më vonë në Pallatin e Brigadave, ndërsa në agjendën e mbledhjes pritet të jenë ecuria e procesit të integrimit europian dhe procedurat e ndjekura deri më tani për investimin në Zvërnec.

Kjo pritet të jetë një nga pikat kryesore të diskutimit gjatë mbledhjes, për shkak të vëmendjes që ka marrë çështja e Zvërnecit, protestave të zhvilluara dhe jehonës ndërkombëtare që i është dhënë këtij projekti.

Kryeministri Rama pritet të mbajë fjalën e tij së bashku me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ndërsa deputetët do të kenë në dispozicion jo më shumë se dy minuta për diskutime dhe raportime.

Por një tjetër çështje që ka sjellë jo pak debat është edhe largimi nga grupi parlamentar socialist i deputetes Marjana Koçeku, për të cilin deri më tani nuk ka një qëndrim zyrtar as nga kryeministri Rama dhe as nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos