Emisioni Report në Rai 3 iu rikthye Shqipërisë dhe kampit të emigrantëve që italianët po ndërtojnë në vendin tonë, por këtë herë me akuza konkrete në adresë të Kryeministrit Edi Rama.
Rrëfimi i ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj, përballë një pjate me makarona, ishte një dëshmi e fortë.
Nga arratia, ish-vartësi i Ramës tregoi se shefi i tij priste në zyrën e Kryeministrit eksponentë të krimit.
“Nuk është vetëm i lidhur me krimin, por të jap edhe emrin e koordinatorit të tij, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, afër klaneve të Durrësit. Tani është kthyer në koordinator të të gjitha grupeve. Agasi bën koordinatorin, ndërsa ai i përdor për zgjedhje. Madje Rama i takon ata majde edhe në zyrën e tij, në sallën e mbledhjes në Kryeministri. Unë i kam parë me sytë e mi përfaqësuesit e klaneve mafioze me të.”
Këto pretendimet të ish-zëvendëskryeministrit, Edi Rama i injoroi si informacione të pabesueshme të një personi që i fshihet drejtësisë.
Në intervistën e tij për RAI 3, Rama shmangu të merrej me emrat e përveçëm të përmendura në intervistë nga gazetari italian, me argumentin që kryeministri nuk di se me çfarë merren njerëzit që ai takon në zyrën e tij.
I tillë ishte edhe rasti kur u pyet për takimin me Lyftar Hysën, për të cilin media italiane thotë se është i lidhur me kartelet ndërkombëtare të drogës.
Gjithashtu, kryeministri hodhi poshtë akuzat që ai ka favorizuar investimet në vendin tonë të miqve të tij italianë, duke nisur që nga ish-kryeministri Mssimmo D’Alema, të cilin e cilëson si mentor politik.
Rama nuk harroi të nënvizonte bindjen se emisioni Report të gjithë luftën e ka me homologen e tij të Romës, Giorgia Meloni, ku në rastin konkret kurban u bë Shqipëria, duke u cilësuar si narkoshtet.
Dhe kur thotë që mafia ekziston, por nuk ndikon në politikë. Gazetari Italian i përmendi Edi Ramës, 3 bashkëpunëtorë të tij që kanë drejtuar ministrinë e Brendshme, por kryeministri zgjodhi të mbronte vetëm Fatmir Xhafajn, duke thënë se është i papërlyer dhe u largua për të mbrojtur aspektin moral.
(A2 Televizion)